Pentagoni të hënën refuzoi një kërkesë nga Distriktit të Kolumbisë që kërkonte ndihmën e Gardës Kombëtare për t'u marrë me mijëra emigrantë që po transportohen në qytetin e Uashingtonit nga Teksasi dhe Arizona.
Sipas një letre drejtuar qytetit të parë nga Associated Press, Departamenti i Mbrojtjes tha se përdorimi i Gardës Kombëtare të Uashingtonit do të ishte i papërshtatshëm dhe do të dëmtonte gatishmërinë e përgjithshme të trupave, duke detyruar një pjesë të tyre të anulojnë ose ndërpresin stërvitjet ushtarake.
Në letër thuhej se Departamenti i Mbrojtjes është gjithashtu i shqetësuar për vënien e ushtarakëve në kontakt të drejtpërdrejtë me emigrantët për të ofruar ushqim, artkuj higjienik ose mbështetje tjetër, duke thënë se trupat nuk kanë përvojë apo trajnim të vërtetë për këtë lloj misioni.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin refuzoi një kërkesë të ngjashme të bashkisë së kryeqytetit të Uashingtonit në fillim të këtij muaji dhe kryebashkiakja Muriel Bowser kishte thënë se ajo do të dërgonte një propozim të ndryshuar, "më specifik". Kryebashkiakja Bowser fillimisht kishte kërkuar një dislokim të 150 anëtarëve të Gardës Kombëtare në ditë, si dhe një "zonë të përshtatshme federale" për një qendër masive strehimi dhe sistemimi, duke përmendur zonën Armory DC si një kandidat të logjikshëm për një mision të këtij lloji. Kërkesa e rishikuar kërkonte që ndihma të jepej vetëm për 90 ditë.
Gjatë pranverës, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott dhe Guvernatori i Arizonës, Doug Ducey, të dy republikanë, njoftuan planet për të dërguar autobusë me emigrantë në Uashington, në përgjigje të vendimit të Presidentit Joe Biden për të shfuqizuar një urdhër shëndetësor emergjent të kohës së pandemisë që kufizonte hyrjen migrantëve, duke u mohuar atyre mundësinë për të kërkuar azil. Rregulli mbetet në fuqi me urdhër të gjykatës.
Sipas zyrës së guvernatorit, që nga 5 gushti, Teksasi ka transportuar me autobus më shumë se 7,000 emigrantë në Uashington dhe më shumë se 900 në qytetin e Nju Jorkut. Sipas zyrës së guvernatorit të Arizonës, që nga 22 gushti, ky shtet ka dërguar 1,516 emigrantë në Uashington në 41 udhëtime. Dy deri në tre autobusë nisen çdo javë dhe secili mund të mbajë rreth 40 migrantë.
Guvernatorët e quajnë praktikën një udhëtim vullnetar falas, të paguar nga taksapaguesit shtetërorë, që i afron migrantët me familjet e tyre ose rrjetet mbështetëse.
Por kryabashkiakja Bowser ka theksuar se azilkërkuesit po "mashtrohen", pasi shumë prej tyre nuk po afrohen mjaftueshëm në destinacionet e tyre përfundimtare dhe një pjesë e tyre janë lënë në stacionin kryesor të autobusëve dhe trenave në Uashington, pranë Kapitolit dhe pranë Shtëpisë së Bardhë. Shpesh ata mbërrijnë pa burime dhe pa asnjë ide mbi hapat e tyre të ardhshëm.