Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hodhi poshtë të premten pohimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit shqiptarët po përgatisin “likuidimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri”. Kryeministri Kurti tha se qeveria e Kosovës angazhohet për paqe e qëndrueshmëri afatgjate, ndërsa theksoi përkushtimin, siç tha, të palëkundur ndaj bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që pritet të vazhdojnë javën që vjen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se kur zyrtarët në Beograd, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete dhe përfytyrimet e tyre.
Ai i bëri këto komente duke iu kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha të enjten se ka informacione që shqiptarët po përgatisin “likuidimin e pjesëtarëve të komunitetit serb”.
“Kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë dhe duhet që me shtetin tonë, jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin”, tha kryeministri Kurti.
Ai akuzoi Beogradin për nxitjen e tensioneve në veriun e Kosovës më 31 korrik, ku protestuesit bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për masat e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Zbatimi i masës së reciprocitetit për dokumente të identifikimit u shty për një muaj, me kërkesë të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, i cili tha se shtyrja do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimet.
Bashkimi Evropian caktoi për datën 18 gusht një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, në një përpjekje për të ripëtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet të dyja palëve.
Presidenti serb Vuçiç, tha të enjten se nuk beson në ndonjë përparim pas takimit të 18 gushtit, meqë sipas tij autoriteteve në Prishtinë nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi.
Kryeministri Kurti tha ndërkaq se gatishmëria dhe interesimi i qeverisë së Kosovës për t’u marrë vesh me Serbinë mbesin të palëkundura.
“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel, bisedimet aty përveç se të jenë parimore të jenë edhe përmbajtësore, në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog por dialog për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke në qendër. Por, ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” tha ai.
Vëzhguesit thonë se takimi i radhës do të mund të krijonte një situatë të re që do të shmangte tensionet ndërmjet palëve si ato të 31 korrikut pas të cilave forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.
Një ditë para raundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të dy udhëheqësit do të priten në takime të ndara nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ditë më parë tha se palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë.
Tanimë janë mbushur 11 që kur palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por përparimet janë të pakta. Serbia e mbështetur nga Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore.