Binak Ulaj nga fshati Vuthaj në Mal të Zi, në vitet e 70-ta ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Në një rrëfim për Zërin e Amerikës, ai thotë se kjo ka qenë edhe arsyeja që është përndjekur vazhdimisht nga regjimi serb i asaj kohe.
Zoti Ulaj ishte arrestuar dhe mbajtur në burgun e Prishtinës pesë herë, në vitin 1969, 1970, 1974, 1981 dhe për herë të fundit në vitin 1989.
“Për tortura nuk dua të ju flas këtu, kanë qenë të llojllojshme, por çfarë ne mendonim më së shumti gjatë asaj kohe është të mos i zbulojmë shokët, të mos e zbulojmë veprimtarinë, të mos flasim e të mos e pranojmë veprën në atë kuptim që të shkëputet veprimtaria e të bien shoktë tanë në burg”, thotë ai.
Ndër përjetimet më të rënda, thotë ai, ishte ai i vitit 1981, kur u mbajt për më tepër se 12 muaj në një qeli të këtij burgu në vetmi.
“Kam pasur rast t’i dëgjoj britmat e njerëzve duke i rrahur dhe kjo ishte më e rënda sepse e dalloje zërin e shokut dhe ti ishe i pafuqishëm. Nuk kishim as se si të organizoheshim sepse une isha në vetmi atëherë, po qe se do të ishim në kthina pra qeli të përbashkëta do të ishte më ndryshe, por kështu ishte e pamundur të reagosh. E tëra që mund të bënim është që refuzonim ushqimin ose shpallnim grevë urie”, rrëfen zoti Ulaj.
Trajtimi i të burgosurve në burgun e Prishtinës, thotë ai, ishte çnjerëzor.
“Nuk kishim të drejtë të shtrihemi ditën, na i merrnin edhe ato batanije që ishin të kohës së para luftës ose më mirë të them të kohës së Luftës së Dytë Botërore e i vendosnin në koridore në dollap. Një gjysmë buke e kishim të cilën mund ta haje përnjëherë ose si të duash, por më e keqja ishte mungesa e vizitave nga familjarët sepse nganjëherë i ndalonin, si dhe marrja në pyetje kryesisht natën”, thotë ai.
33 vjet pas herës së fundit që ka qenë në këtë burg, zoti Ulaj kthehet kësaj radhe për të vizituar hapësirën e tij tashmë të shndërruar në muze me fotografi, video e materjale të tjera të mijëra të burgosurve politikë shqiptarë që kishin kaluar nëpër të.
“Fatbardhësisht që erdhi kjo kohë, në rend të parë duhet falenderuar ata breza që u sakrifikuan e veçmas ata të cilët e kurorëzuan me sakrificën dhe gjakun e vet lirinë e Kosovës dhe sot ne jemi këtu e flasim kështu për një manifestim të tillë kulturor e historik”, thotë ai.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrullah Çeku, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se hapja e këtij muzeu është bërë me synim ruajtjen e një pjese të dhimbshme dhe të lavdishme të historisë së vonshme të shqiptarëve.
“Unë jam shumë i lumtur që kemi arritur në pikën që nëpërmjet kësaj ekspozite të përkohshme që quhet ‘Burgu i idealit’ të hapim këtë ndërtesë për publikun, kjo është shumë e rëndësishme. Dyert e kësa ndërtese tashmë janë të hapura përditë për vizitorët nga Kosova e nga vende të ndryshme të botës për t’i dëgjuar rrëfimet e ish të burgosurve politik shqiptar. Në të njejtën kohë ne kemi nënshkruar edhe vendimin që këtë ndërtesë ta shpallim aset të mbrojtur të trashëgimisë kulturore”, tha ai.
Ky muze, tha zoti Çeku, në të ardhmen do të shërbejë edhe si qendër dokumentimi nëpërmjet hulumtimeve dhe publikimeve të ndryshme lidhur me, siç tha ai, historinë e rezistencës shqiptare kundër regjimit shtypës e gjenocidal serb.
Hydajet Hyseni nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës, i cili në vitet e 80-ta kishte vuajtur rreth dhjetë vjet heqje lirie, thotë se atëbotë çdo i treti shqiptar i Kosovës trajtohej nga policia serbe.
“Rreth 600 mijë veta në Kosovë kanë qenë të trajtuar në pikëpamje policore ushtarake. E merr me mend atëherë Kosova nuk ka pasur mbi një milionë e gjysmë banorë, i bie që cdo i treti ka qenë i trajtuar nga policia serbe. E merni me mend që burgosjet kanë qenë vërtetë shumë brutale, shumë vulgare, poshtëruese shpesh, tortura të rregullta, shpërndarje nëpër vise të largëta të ish Jugosllavisë, ishte dënim edhe i familjeve”, thotë ai.
Hapja e këtij muzeu, thotë zoti Hyseni, është tejet e rëndësishme për të pasqyruar të vërtetën.
“Muze të tillë janë së pari eksplorues, tregojnë të vërtetën dhe jam i bindur që nuk kalojnë hendekun e urrejtjeve ndërnacionale, nuk e kemi pasur kurrë këtë, kemi kundërshtuar regjimin, robërinë, sunduesit por jo kurrë një popull, kurrë gjuhën e tyre, kurrë kulturën e tyre. Prandaj jam i bindur që këto do të jenë një edukim dhe një këndellje sepse pa e parë të kaluarën, zor është ta shohësh të ardhmen”, thotë ai.
Sipas të dhënave nga ministria e Kulturës, në proceset gjyqësore politike në ish Jugosllavi kundër mijëra shqiptarëve, nga viti 1945 deri në vitin 1990, janë shqiptuar mbi 666 shekuj burg.