Lidhje

Kornizë ligjore për armëmbajtjen nga një grup senatorësh nga të dy partitë


Negociatorët në Senatin amerikan njoftuan arritjen e një kornize ligjore dypartiake të dielën, një arritje modeste që ofron kufizime të matura për armëmbajtjen si dhe forcon përpjekjet për të përmirësuar sigurinë në shkolla dhe programet e shëndetit mendor. Në Shtetet e Bashkuara është thelluar debati për armëmbajtjen pas disa vrasjeve masive nëpër shkolla kohët e fundit.


Por propozimi është shumë larg masave më të ashpra të kërkuara prej kohësh nga Presidenti Joe Biden dhe shumë demokratë. Megjithatë, nëse marrëveshja çon në miratimin e legjislacionit, kjo do të sinjalizonte një kthesë të fortë për çështje të mbetura pezull në Kongres pas shumë vrasjesh masive që kanë ndodhur në vend.


Udhëheqësit shpresojnë për miratimin e shpejtë të legjislacionit, ndoshta brenda muajit, përpara se të ulet vala e mbështetjes për ndryshime pas vrasjeve masive të kohëve të fundit në Nju Jork dhe Teksas.


20 senatorë, mes tyre 10 republikanë, publikuan një deklaratë ku bëhej thirrje për miratimin e legjislacionit. Qëndrimi është posaçërisht i rëndësishëm sepse pengesa më e madhe për miratimin e masës është Senati i ndarë 50-50, ku nevojiten të paktën 10 vota republikane për të kaluar pragun e nevojshëm prej 60 votash për miratimin e një projekt-ligji.


“Familjet janë të frikësuara dhe është detyra jonë që të bashkohemi dhe të bëjmë diçka që do të ndihmojë në rivendosjen e ndjenjës së tyre të sigurisë në komunitetet e tyre”, thuhet në deklaratën e senatorëve.

Në bazë të kompromisit, të dhënat të blerësve të armëve nën moshën 21 vjeçare do të jenë të disponueshme gjatë procesit të blerjes së armëve për të parë nëse ata paraqesin probleme.


I dyshurari për vrasjen e 10 njerëzve me ngjyrë në një dyqan në Buffalo të Nju Jorkut ishte 18 vjeçar. Këtë moshë kishte edhe i dyshuari për vrasjen e 19 fëmijëve dhe dy mësueseve në Uvalde të Teksasit. Shumë prej individëve që kanë kryer vrasje masive gjatë viteve të fundit kanë qënë të moshave të reja.


Marrëveshja do t'u ofronte shteteve fonde për të vënë në zbatim ligje për marrjen përkohësisht të armëve të individëve që konsiderohen se mund të jenë të dhunshëm dhe për të forcuar sigurinë në shkolla si dhe për programe të shëndetit mendor.


Korniza ligjore e rënë dakord nga grupi i ligjëvësve nga të dy partitë, kërkon që shitësit e armëve të pajisen me liçensë federale, çka nënkupton se ata duhet të kryejnë kontrolle të historisë së blerësve të armëve.


Presidenti Biden tha përmes një deklaratë se korniza ligjore “nuk bën gjithçka që unë mendoj se është e nevojshme, por pasqyron hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur dhe do të ishte legjislacioni më i rëndësishëm për sigurinë e armëve që do të miratohej në Kongres në disa dekada".


Korniza ligjore vjen pas dy javë bisedimesh me dyer të mbyllura midis grupeve të senatorëve të udhëhequr nga demokrati Chris Murphy i shtetit Kenektikat, republikani John Cornyn nga Teksasi, republikani Thom Tillis i Karolinës së Veriut dhe demokratja Krysten Sinema e Arizonës.

XS
SM
MD
LG