Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit do të ketë së shpejti një administrator të ri. Ish-ligjvënësi Lee Zeldin është emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump në këtë post. Zoti Zeldin priten të ndryshojë përparësitë e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, veçanërisht ato mbi ndryshimet klimatike.
Lee Zeldin, ish-ligjvënësi republikan me katër mandate nga shteti i Nju Jorkut dhe një mbështetës i kahershëm i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, është gati të bëhet administratori i ardhshëm i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.
Ish-ligjvënësi 44-vjeçar ka mbaruar fakultetin juridik në Albany dhe ka shërbyer katër vjet në ushtrinë amerikane. Ai është i martuar dhe ka dy vajza binjake.
Në një deklaratë të lëshuar më 11 nëntor, zoti Trump njoftoi emërimin e zotit Zeldin, duke thënë se ish-ligjvënësi do "të çlirojë fuqinë e bizneseve amerikane, duke ruajtur njëkohësisht standardet më të larta mjedisore".
Zoti Zeldin tha për kanalin Fox News se është i ngazëllyer me mundësinë për zbatimin e axhendës ekonomike të zotit Trump.
"E majta në këtë vend ka mbështetur rregullatore, të cilat kanë detyruar bizneset të lëvizin në drejtimin e gabuar", tha ai.
Nën administrimin e Presidentit demokrat Joe Biden, Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit i ka dhënë përparësi prodhimit të energjisë së pastër dhe të rinovueshme dhe ka vendosur kufizime mbi prodhimin e naftës dhe gazit në përpjekje për të frenuar emetimet toksike dhe ndryshimin e klimës.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka plane të tjera.
"Ne do të eliminojmë çdo pengesë burokratike për miratimin e shpejt të shpimeve për nxjerrje të naftës, ndërtimin e tubacioneve të reja, rafinerive, termocentraleve dhe reaktorëve të të gjitha llojeve", tha ai.
Zoti Zeldin shprehu qëndrime të ngjashme kur ai kandidoi pa sukses për postin e guvernatorit të Nju Jorkut në vitin 2022.
“Ne duhet të shfuqizojmë rregullat për ndalimin e nxjerrjes së sigurt të gazit natyror dhe duhet të miratojmë plane të reja për ndërtim të tubacioneve të naftës”, tha ai.
Emërimi i zotit Zeldin pason përsëritjen e thirrjeve nga OKB-ja për ndërprerjen e prodhimit të karburanteve fosile si një mënyrë për të luftuar ngrohjen globale.
"Nuk kemi shumë kohë. Ne jemi afër shansit të fundit për të kufizuar rritjen e temperaturës globale me 1.5 gradë Celsius. Koha nuk është në anën tonë", tha Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Ndonëse rregulloret mbi ndryshimet klimatike pritet të pakësohen në nivel federal nën udhëheqjen e zotit Zeldin, analistët thonë se aktualisht, shtetet mund të zgjedhin të miratojnë rregulloret e tyre dhe konsumatorët mund të mbështesin individualisht produktet më miqësore ndaj mjedisit.