Lidhje

Zelenskyy: Donbasi po reziston, ndryshe nga parashikimet e Moskës


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta në vendin e tij, por shtoi se forcat ukrainase vazhdojnë të sfidojnë pritshmëritë, duke mos lejuar trupat ruse që të pushtojnë Ukrainën lindore. Në këtë rajon luftimet kanë qenë nga më të ashprat, për javë të tëra.

Zelenskyy: Donbasi po reziston, ndryshe nga parashikimet e Moskës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Në fjalimin e tij të mbrëmjes zoti Zelenskyy tha se ishte krenar për mbrojtësit e Ukrainës, që ia dolën të frenonin siç tha, përparimin e trupave rusë në rajonin e Donbasit. Separatistët e mbështetur nga Moska kanë kontrolluar pjesën më të madhe të territorit për tetë vjet.

"E mbani mend se si në Rusi, në fillim të majit, ata shpresonin të kapnin të gjithë Donbasin?!", tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij të shtunën në mbrëmje. “Tashmë jemi në qershor, është dita e 108-të e luftës dhe Donbasi vazhdon të rezistojë”, shtoi ai.

Pasi dështoi me planet e saj për të pushtuar Kievin, në fillim të luftës, Moska u përqendrua në kapjen e rajoneve kryesisht rusishtfolëse të Donbasit, që vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Ukrainës, si dhe të bregdetit jugor të vendit. Por ndryshe nga parashikimet, forcat ruse po përballen me një betejë të gjatë dhe të mundimshme, pjesërisht falë përdorimit të armëve që Ukraina ka marrë nga Perëndimi.

Autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se beteja për Sievierodonetskun vazhdon. Qyteti lindor kishte një popullatë prej 100,000 banorësh para luftës. Sievierodonetsku dhe Lysychansku fqinj, janë qytetet e fundit kryesore të provincës Luhansk të Donbasit, që nuk kanë rënë në duart e rebelëve pro-rusë.

Separatistët e mbështetur nga Moska kanë kontrolluar pjesën më të madhe të territorit për tetë vjet.

Duke folur në një konferencë shtypi, zëdhënësi i forcave ukrainase Oleksandr Shtupun tha se ushtria ruse është tërhequr nga Vasylivka (rajoni Zaporizhzhia) dhe Mykolaivka (rajoni Donetsk), pasi humbën pozicionet e marra më herët.


"Gjatë ditës së kaluar, humbjet e armikut arritën në dhjetë tanke, gjashtëmbëdhjetë automjete luftarake të blinduara, shtatë mjete ajrore me telekomandë, më shumë se dhjetë automjete dhe rreth 150 njerëz”.


Qasja e medias për të ofruar një tablo më të plotë të betejës në lindje ka qënë e vështirë për shkak të sulmeve ajrore dhe me artileri. Si Ukraina ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska kanë vendosur kufizime të rrepta për raportimin nga zonat e luftimeve.


Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë tha se Kremlini kishte shkatërruar një depo armatimesh ku ruheshin municione të dërguara nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

“Raketat Kalibr me precizion të lartë të lëshuara nga deti shkatërruan një depo të madhe në rajonin Ternopil, ku ishin magazinuar sisteme raketash antitank, sisteme raketash portative kundërajrore dhe predha artilerie për sistemet e armatimeve të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane”, tha të dielën gjenerali rus Igor Konashenkov.


Por pretendimet e Rusisë nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Leonid Pasechnik, kreu i Republikës Popullore të Luhanskut, të shpallur nga separatistët, tha se luftëtarët ukrainas ndodhen në një zonë industriale të qytetit, ku ndodhet dhe një fabrikë kimikatesh, një vend që shërbeu për strehimin e civilëve gjatë sulmeve me artileri ruse.

"Sievierodonetsku nuk është i çliruar 100%", tha zoti Pasechnik të shtunën, duke pretenduar se ukrainasit po bombardonin qytetin nga uzina Azot". "Ndaj është e pamundur ta quash situatën të qetë në Sievierodonetsk, apo të thuash që është plotësisht i yni", shtoi ai.

XS
SM
MD
LG