Lidhje

Bulevardi Roosevelt, “korridori i vdekjes” në Filadelfia


Në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar rreth 43,000 njerëz humbën jetën në aksidente automobilistike, numri më i lartë në 16 vjet. Viti 2020 shënoi një rritje jo-proporcionale të vdekjeve në trafik prej 23% mes afrikano-amerikanëve. Materiali në vazhdim na çon në Filadelfia, ku një rrugë e ndërtuar para pothuajse 100 vjetësh është shkaktar për shumë vdekje mes popullsisë me ngjyrë.

Bulevardi Roosevelt, “korridori i vdekjes” në Filadelfia
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00


Bulevardi Roosevelt është një labirint pothuajse 23 kilometra i gjatë që kalon nëpër disa nga lagjet dhe zonat më të larmishme të qytetit, që kanë një shkallë të lartë varfërie. Kjo rrugë njihet si “korridori i vdekjes” në Filadelfia.


“Ka shpejtësi të lartë dhe është me shumë korsi. Të jep ndjesinë e një autostrade, por kalon nëpër lagje. Në ditët e sotme një rrugë e tillë nuk do të projektohej”, thotë Christopher Puchalsky, drejtor i politikave në Zyrën e Transportit, Infrastrukturës dhe Qëndrueshmërisë së Filadelfias.


Lagjet në fjalë janë kryesisht të banuara nga popullsi afrikano-amerikane me të ardhura të ulta.


“Në shumë raste, rrugët u ndërtuan mes këtyre komuniteteve pa pëlqimin e tyre. Në disa raste, rrugët kanë ndarë komunitetet. Ata nuk kanë makina dhe nuk kanë qasje tek transporti publik. Atyre u duhet të ecin në këmbë ose të përdorin biçikletat dhe si rezultat ata janë ndër më të prekurit nga vdekjet në trafik” thotë aktivistja Sonia Szczesna me organizatën jofitimprurëse “Tristate Transportation Campaign”.


Ngarja e makinës në këtë bulevard mund të jetë e rrezikshme, por ecja në këmbë, ose me biçikletë mund të jetë vdekjeprurëse, me disa vendkalime më të gjata se një fushë futbolli.


“Kalimtarët duhet të presin katër cikle të plota të semaforëve për të kaluar bulevardin, duke qëndruar në trotuar përkarshi një trafiku me shpejtësi të lartë, dhe në shumë raste duke rrezikuar të kalojnë”, thotë Kelley Yemen, drejtoreshë e programit “Complete Streets” me qytetin e Filadelfias.


John Gbaa humbi djalin e tij në Bulevardin Roosevelt në vitin 2018.


"Bulevardi Roosevelt është një çmenduri. JJ ishte djali im i vetëm dhe isha shumë krenare për të. Policia më tha se e gjetën në rrugë të përplasur nga një makinë dhe nuk e dinin sa kohë kishte aty”.


Para pandemisë, Bulevardi Roosevelt përbënte 10-13% të viktimave të trafikut në Filadelfia. Shkalla e vdekjeve në këtë rrugë nuk ndryshoi gjatë pandemisë, edhe pse pati rritje në pjesë të tjera të qytetit. Disa thonë se ka ndikuar instalimi i kamerave të shpejtësisë në tetë kryqëzime në qershor të vitit 2020.


Latanya Byrd është bërë mbështetëse e fortë për instalimin e kamerave të shpejtësisë. Ajo humbi mbesën dhe tre djemtë e saj ndërsa ata po kalonin kryqëzimin me 12 korsi. Ata u shtypën nga dy makina që bënin gara një natë të vitit 2013.


“Ndjeva se duhej të bëja diçka. Nuk mund t’i kthej pas, por mund të shpëtojmë dikë tjetër”, thotë zonja Byrd.


Disa thonë se kamerat e shpejtësisë janë një zgjidhje e përkohshme për një problem më të madh të infrastrukturës. Qyteti thotë se ka në plan të bëjë përmirësime të bulevardid deri në vitin 2040 por ende ka probleme financimi.

XS
SM
MD
LG