Koalicioni i Organizatave për të Drejtat e Grave në Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë organizata që mbrojnë të drejtat e grave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, tërhoqi vëmendjen të hënën për shkallën e lartë të diskriminimit të grave në rajon.
Këto komente u bënë gjatë publikimit të një studimi të kësaj organizate mbi “Diskriminimin me bazë gjinore dhe punësimin në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas studimit ngacmimet seksuale dhe shkelja e të drejtës për pushim të lehonisë, janë ndër format më të përhapura të diskriminimit gjinor në vendin e punës.
Një nga autoret e raportit, Vaska Leshovska nga Maqedonia e Veriut, tha se në vitin 2021, 34 për qind e grave të anketuara kanë thënë se kanë përjetuar forma diskriminimi që lidhen me punën gjatë jetës së tyre.
“Përqindja e grave që kanë përjetuar ngacmim seksual është 44 në Maqedoni të Veriut, 41 në Mal të Zi, 40 në Bosnje dhe Hercegovinë, 36 për qind në Serbi, 24 në Kosovë dhe 23 për qind në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se shumica e kryesve janë burra dhe në pozitë më të lartë të punës”, tha ajo.
Zonja Leshovska tha se shumë nga gratë e anketuara kanë rrëfyer se nuk janë paguar gjatë pushimit të lehonisë ose e kanë humbur punën fare.
“Kuadri ligjor në tërë Ballkanin Perëndimor garanton pushim të gjatë lehonie. Pavarësisht kësaj, shkeljet e pushimit të lehonisë janë ndër më të rëndat sa i përket diskriminimit me bazë gjinore në punë. Të drejtat e pushimit të lehonisë shkelen ose drejtpërdrejt kur punëdhënësi u shkëputë kontratën punonjëseve shtatzëna ose tërthorazi kur thjeshtë nuk u ofron kontratë të re pune”, tha zonja Leshovska.
Endrita Banjska, bashkautore e raportit tha se shkalla e raportimit të shkeljeve është e ultë, sikurse edhe shkalla e zgjidhjes së shkeljeve të raportuara.
“Të institucionalizohet trajnimi për policët, prokurorët, gjyqtarët dhe inspektorët e punës lidhur me qasjen e duhur për të trajtuar rastet e shkeljeve me bazë gjinore. Të mbështeten fushatat ndërgjegjësuese që nxisin raportimin e diskriminimit”, tha ajo.
Raporti ndër të tjera vë në pah edhe hendekun në paga ndërmjet burrave dhe grave, që sipas të gjeturave vazhdon të jetë dukuri e përhapur në të gjitha shtetet e rajonit.