Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se mënyra e trajtimit të grupeve më të rrezikuara të shoqërisë është prova e vërtetë e qëndrueshmërisë dhe forcës së sundimit të ligjit në çdo demokraci.
Ai i bëri këto komente gjatë paraqitjes së një raporti të lëvizjes FOL, lidhur me mënyrën e trajtimit të dhunës në familje nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Kosovës.
Megjide Demolli - Nimani, nga kjo organizatë tha se norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje në shtatë gjykatat themelore të Kosovës është 72 për qind.
“Sa i përket sistemit gjyqësor gjatë vitit 2021 në punë kanë patur një mijë e 312 lëndë të dhunës në familje, ndërkaq kanë arritur të zgjidhin 895 apo 68 për qind të të gjitha lëndëve. Shqetësues është fakti që pjesa më e madhe e këtyre lëndëve ishin të reja, të krijuara gjatë vitit 2021, përkatësisht 95 për qind të lëndëve”, tha ajo.
Ambasadori amerikan, Hovenier, tha se luftimi i dukurisë së dhunës në familje përveç punës së organeve të drejtësisë, kërkon edhe ndryshime kulturore dhe qasje gjithëpërfshirëse.
“Luftimi i dhunës në familje kërkon shumë më shumë se ndjekje penale efektive, kërkon ndryshime kulturore dhe qasje të mbarë shoqërisë, nga polici në vendin e ngjarjes i cili kryen hetimet, prokurori që ngre çështjet, te gjyqtarët që dëgjojnë këto çështje dhe zbatojnë ligjin, avokatët e viktimave që i përfaqësojnë ato në çdo hap të procesit, pastaj ata që ofrojnë mbështetje - si strehimoret dhe mediat që i raportojnë rastet në publik”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qeveria e Kosovës është e angazhuar në forcimin e mekanizmave që parandalojnë dhe luftojnë dhunën në familje.
“Nëpërmjet strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave 2022-2026, kemi paraparë veprime dhe masa konkrete për parandalimin e këtyre dukurive, duke përfshirë edhe ndërgjegjësimin e shoqërisë në këtë drejtim”, tha zonja Haxhiu.
Sipas të dhënave të raportit i cili është realizuar me mbështetjen e departamentit amerikan të shtetit, shqetësim në sistemin e drejtësisë në Kosovë mbetet bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit. Numri i lëndëve të dhunës në familje të bartura nga vitet paraprake për vitin 2022 ka shënuar rritje për mbi 2 për qind.