Lidhje

Të mbijetuarit ukrainas të holokaustit ikin drejt Izraelit


Holokausti është në qendër të mosmarrëveshjeve në rritje diplomatike midis Moskës dhe Jeruzalemit. Këtë javë, Rusia akuzoi Izraelin se është duke mbështetur atë që Moska e quan “regjim neo-nazist” në Ukrainë. Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov shkaktoi zemërim tek izraelitët kur deklaroi se edhe hebrenjtë, si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mund të jenë kundër semitizmit dhe se Hitleri kishte gjak hebre. Ndërkohë, rreth 500 të mbijetuar ukrainas të Holokaustit u detyruan të braktisin shtëpitë, për të dytën herë në jetën e tyre.

Të mbijetuarit ukrainas të holokaustit ikin drejt Izraelit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Vrasja e gjashtë milionë hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, është shfrytëzuar si nga Rusia dhe nga Ukraina për të akuzar njëra tjetrën, që nga fillimi i sulmit rus në fund të shkurtit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është hebre, thotë se Rusia po tradhëton mësimet që bota nxorri nga Holokausti.


“Pas vdekjeve nga bombardimet ruse të njerëzve të zakonshëm, që i kishin mbijetuar pushtimit nazist dhe kampeve të përqëndrimit, një koment i tillë kundër semitizmit i ministrit të tyre tregon se Rusia i ka harruar të gjitha mësimet nga Lufta e Dytë Botërore”, thotë ai.

Ata që nuk harrojnë janë të mbijetuarit e Holokaustit si Riva Trypilska, 94 vjeçarja, që para disa javësh u largua nga Kievi drejt Izraelit. Ngjashëm, para shumë dekadash më 1941, ajo kishte ikur në Uzbekistan për t’u shpëtuar nazistëve.

“Kurrë nuk kisha menduar se do të ndodhë përsëri. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe humbjes së Hitlerit, njerëzit e mirë fituan. Bota do të duhej të kishte paqe dhe jo antisemitizëm”, thotë e mbijetuara ukrainase e Holokaustit.

Riva dhe 260 të mbijetuar tjerë të Holokaustit ishin në mesin e mbi 3 mijë hebrenjve ukrainas, që u larguan së fundmi drejt Izraelit nga kampet e refugjatëve në Moldavi.

Afër 15 mijë hebrenj ukrainas dhe rusë ikën drejt Izraelit me ndihmën e organizatave të ndryshme humanitare dhe joqeveritare.

Shumica e të mbijetuarve janë mbi 80 vjeç. Për ta lëvizja drejt Izraelit është sfiduese.

“Ata nuk e prisnin që shtëpitë dhe jetët e tyre të shkatërroheshin. Por, tani që shtëpitë e tyre janë në zjarr, Izraeli duhet të jetë shtëpia e tyre e dytë. Ata nuk ishin refugjatë në Ukrainë, por qytetarë paqësorë, që humbën gjithçka brenda një momenti”, thotë Benni Hadad nga Bashkësia Ndërkombëtare e të Krishterëve dhe Hebrenjve.

85 vjeçari Valery Bendersky ishte djalë i ri kur iku nga Kharkivi drejt Khazakistanit gjatë Holokaustit. Tani ai është detyruar të largohet sërish drejt Izraelit, me vajzën dhe macen e tij. Ai këndon një këngë, që e ka shkruar vetë rreth të qenit dy herë refugjat.

“Ne jemi refugjatë. Është e trishtueshme. Braktisëm gjithçka, të tmerruar në shpirt. Lamë Ukrainën nga Putini, ashtu si ikëm dikur nga Hitleri”, thotë ai.

Zoti Bendersky shton se është i vendosur, që megjithë moshën e shtyrë, të fillojë një jetë të re, për herë të dytë.

XS
SM
MD
LG