Lidhje

Ukrainë, 17% e shkollave të mbështetura nga UNICEF-i janë shkatërruar


A damaged school is seen following a Russian attack occurred in mid-March, on the outskirts of Mykolaiv, Ukraine, April 1, 2022.
A damaged school is seen following a Russian attack occurred in mid-March, on the outskirts of Mykolaiv, Ukraine, April 1, 2022.

UNICEF thotë se 17 për qind e shkollave që i ka mbështetur në Ukrainën lindore janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet e kryera nga Rusia.

Agjencia e OKB-së tha në një njoftim të mërkurën se dy shkolla janë sulmuar javën e kaluar dhe se "qindra shkolla në të gjithë vendin" janë goditur nga artileria ose sulmet ajrore që nga fillimi i luftës. Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

“Fillimi i vitit akademik në Ukrainë ishte një vit shprese dhe premtimi për fëmijët pas ndërprerjeve të shkaktuara nga pandemia e COVID-19-ës”, thotë Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF-it në Ukrainë. "Në vend të kësaj, qindra fëmijë janë vrarë dhe viti shkollor po përfundon me mbylljen e shkollave për shkak të luftës dhe shkatërrimit të objekteve arsimore."

UNICEF-i tha se po përpiqej të vazhdonte kontaktet me fëmijët ukrainas përmes ofrimit të mësimit në internet.

Kjo agjenci e OKB-së thotë se ka krijuar gjithashtu hapësira, ku mësuesit, psikologët dhe instruktorët e sportit mund të luajnë me fëmijët dhe t’i angazhojnë ata në mënyrë të rregullt.

UNICEF-i thotë se po përpiqet gjithashtu të sigurojë mbështetje në fushën e arsimit për vendet që kanë pranuar fëmijë ukrainas.

“Pavarësisht tmerrit të luftës, punë mbresëlënëse është duke u bërë për t'u siguruar që fëmijët të vazhdojnë shkollimin”, tha zoti Sahin. “Në fund, luftimet do të duhet të ndaleshin për t’i hapur rrugën rindërtimit të shkollave, dhe në mënyrë që ato të jenë vende të sigurta dhe argëtuese mësimi.”

Muajin e kaluar, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet tha se bombardimet pa kriter të zonave të banuara nga Rusia, vrasja e civilëve dhe shkatërrimi i spitaleve, shkollave dhe infrastrukturës tjetër civile në Ukrainë mund të përbëjnë krim lufte.

Rusia mohon të ketë vënë në shënjestër civilët.

XS
SM
MD
LG