Lidhje

Kosovë: Dita botërore e vajzave në teknologji


Kosovë: Dita botërore e vajzave në teknologji
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Kosovë: Dita botërore e vajzave në teknologji

Vjollca Çavolli, në vitin 1978, ishte në shkollë të mesme dhe vendosi të bëhej pjesë e gjeneratës së parë të programuesve. Në klasën e saj në atë kohë ishin vetëm tetë vajza.

“Paragjykimet kanë qenë shumë të mëdha, të jesh grua në këtë sektor ka qenë shumë e vështirë. Pastaj të gjesh vend të punës ka qenë shumë e vështirë, madje edhe intervistat e punës bëheshin në formë paragjykuese ‘çfarë po pret ti si grua, ti dëshiron ta bësh këtë punë, jo nuk është e mundur, kjo është punë meshkujsh e ti nuk mund ta bësh këtë’, e shumë të tjera. Prandaj rruga që e ndërmarrin gratë e vajzat në këtë fushë është gjithmonë tri – katër herë më e vështirë se ajo e burrave dhe djemve”, tha ajo në një bisedë me Zërin e Amerikës.

Përkundër vështirësive, zonja Çavolli, ia doli. Sot ajo drejton Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, nëpërmjet së cilës synohet krijimi i mundësive më të mëdha për ata që janë të interesuar për këtë sektor.

“E kemi themeluar Qendrën e Inovacionit të Kosovës e cila është një shtëpi e dytë, një mundësi për të gjithë studentët, të rinjtë, por edhe të moshuarit që kanë ide kreative, ku mund të krijojnë një start up dhe prej aty të zhvillohet më tutje dhe të bëhet një kompani”, tha zonja Çavolli.

Mundësitë për përfshirjen e grave në këtë fushë sot janë shumë më të mëdha, thotë Hana Qerimi, e cila është bashkëpronare në dy biznese që lidhen me sektorin e teknologjisë.

“Sot vlen të nënvizohet se nuk është më e rëndësishme a je vajzë apo djalë në sektorin e teknologjisë. Kërkohen shumë punëtorë, nëse je dikush që din ta kryejë punën si duhet, patjetër do të kesh sukses”, thotë zonja Qerimi.

Ajo thotë se në Kosovë trendi i pjesëmarrjes së grave në fushën e teknologjisë është në rritje.

“Është një lajm shumë i mirë që krahasuar me rajonin ku diku 17 për qind e studentëve në fakultetet e teknologjisë janë vajza, në Kosovë është diku 38 për qind apo afër 40 për qind. Diçka që sot na bën të jemi krenarë dhe u jep një mundësi shumë të mirë të rinjve që të kenë sukses në këtë sektor”, thotë ajo.

Në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. Prandaj përfshirja e tyre në fusha të tjera është kërkesë e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile.

Për të diskutuar mundësitë për pjesëmarrje më të gjerë të grave në teknologji, komuna e Prishtinës mblodhi 15 organizata të këtij sektori, në një veprimtari tre ditore, për nder të ditës botërore të vajzave në teknologji e cila shënohet me 28 prill.

Jora Zeneli, 18 vjeçe, tha gjatë hapjes së kësaj veprimtarie se vajzat e reja kanë nevojë për shtytje e mbështetje për të zhvilluar një karrierë në tekonologji.

“Së fundmi e kemi bashkëthemeluar organizatën ‘Cikat n’STEM’, e cila synon t’i fuqizojë vajzat në karrierën e teknologjisë. Kjo duke u nisur nga vetja, bashkë me dy themelueset tjera Etna Zeneli dhe Elta Bajrami, duke e parë pra nevojën që e kanë vajzat për t’i shtyrë përpara”, tha ajo.

Ekspertët thonë se përfshirja e grave në fushën e teknologjisë do t’i jap një mundësi rritjes së punësimit të tyre dhe rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e papunësisë, që përfshinë më së shumti gratë.

XS
SM
MD
LG