Rusia akuzoi NATO-n për përfshirje në luftën e Ukrainës duke që sipas saj, ka krijuar një rrezik serioz për luftë bërthamore, ndërsa Uashingtoni mblodhi aleatët e tij të martën në një bazë ajrore në Gjermani për të diskutuar furnizimin e Ukrainës me armë të rënda që i duhen asaj për të siguruar fitoren.
Në një përshkallëzim të theksuar të retorikës ruse, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov u pyet në televizionin shtetëror në lidhje me mundësinë e Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale ishte e krahasueshme me krizën e raketave Kubane të vitit 1962, që gati çoi në luftë bërthamore.
"Rreziqet tani janë të konsiderueshme", tha ministri Lavrov. "Rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë", tha ai, duke nënvizuar se "NATO-ja në thelb, është përfshirë në një luftë me Rusinë përmes një zgjatimi dhe po e armatos atë. Lufta do të thotë luftë".
Kievi dhe aleatët e tij i hodhën poshtë vlerësimet e ministrit Lavrov për luftën bërthamore.
Rusia ka humbur “shpresën e saj të fundit për të trembur botën që të mos mbështes Ukrainën”, shkroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. "Kjo do të thotë se Moska e ndjen humbjen”.
Ministri britanik i Shërbimeve të Armatosura, James Heappey i quajti komentet e ministrit rus Lavrov një shembull të "kapardisjes”.
Ai i tha rrjetit BBC se nuk sheh ndonjë “kërcënim përshkallëzimi”.
“Ajo që Perëndimi po bën për të mbështetur aleatët e tij në Ukrainë është e matur shume mire... Çdo gjë që ne bëjmë është e kurdisur për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë me Rusinë".