Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, nisi takimin me ministrat e Mbrojtjes së më shumë se 40 vendeve në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani të martën, duke shprehur besimin se Ukraina mund të ngadhënjeje kundër Rusisë në konfliktin që tashmë mbushi dy muaj.
Sekretari Austin organizoi takimin pas vizitës në Kiev ku i premtoi më shumë mbështetje ushtarake presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
"Siç e shohim këtë mëngjes, kombet nga e gjithë bota qëndrojnë të bashkuar në vendosmërinë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit të Rusisë", tha sekretari Austin.
"Ukraina beson qartë se mund të fitojë dhe kështu besojmë të gjithë këtu".
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se qëllimi kryesor i bisedimeve është bashkërendimi i shtimit të ndihmës për Kievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.
“Javët e ardhshme do të jenë shumë kritike. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës. Dhe ky është me të vërtetë qëllimi i kësaj konference”, tha gjenerali Milley.
E shtyrë nga një sulm i dështuar në veri të Kievit, Moska ka rivendosur rupat e saj në lindje për një mësymje tokësore në dy provinca të njohura si rajoni i Donbasit.
Zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, vlerësojnë se Rusia do të mbështetet kryesisht tek sulmet me artileri, në përpjekje për të goditur pozicionet ukrainase, ndërsa Moksa fut trupat tokësore nga drejtime të shumta në përpjekje për të asgjësuar një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë ukrainase.
Por, Shtetet e Bashkuara gjithashtu vlerësojnë se shumë njësi ruse janë dobësuar, me disa që kanë humbur rreth 30 për qind të ushtarëve, një nivel që konsiderohet shumë i lartë nga ushtria amerikane për të vazhduar luftimet,. Zyrtarët amerikanë flasin për tanke ruse me një individ në bord dhe pa ekuipazh dhe me mjete luftarake të vjetruara apo që pësojnë avari.
Sipas vlerësimeve të zbulimit britanik, rreth 15,000 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt, ndërsa janë shkatërruar 2,000 automjete të blinduara, përfshirë rreth 530 tanke, si dhe 60 helikopterë dhe avionë luftarakë, tha të hënën Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace.
Rusia deri më tani ka pranuar se janë vrarë vetëm 1,351 trupa dhe 3,825 janë plagosur.
Zyrtarë amerikanë thanë se Rusia ka ende mundësi e trupa dhe ka treguar gatishmëri për të vazhduar dërgimin e ushtarëve dhe njësive në luftë.
Moska gjithashtu mund të përballojë ekonomikisht një luftë të gjatë në Ukrainë, pavarësisht se është goditur nga sanksionet perëndimore, thanë ekspertët e mbrojtjes dhe ekonomistët.
Nga ana e saj, Ukraina krenohet për moralin e lartë, taktika kreative dhe në fushën e betejës dhe njohuri të terrenit, së bashku me armët dhe të dhënat e zbulimit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.