Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina, ka disa ditë që po qëndron në Kosovë. Tani ajo nuk ka frikë për sigurinë e saj, por thotë se çdo mëngjes ka frikë të hapë faqet e lajmeve dhe rrëfimet që mund të shoh në to..
“Unë kam menduar se jam njeri trim por dy muajt e fundit me të vërtetë kam frikë t’i shoh lajmet. Lajmet e mëngjesit më së shumti më frikësojnë sepse ka kaluar nata dhe dua të di çfarë ka ndodhur në atdheun tim ku e kam shoqërinë, vajzat dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme”, thotë ajo.
Ajo nuk dëshiron të flasë shumë për familjen e saj, siç thotë, për shkaqe sigurie. Por fati i saj thotë se është brengë e saj kryesore.
“Familja ime sot është sikur gjethet e një peme që kanë fluturuar me erën. Të gjithë ndodhemi në vende të ndryshme, por më e rëndësishme është që tani jemi të gjithë të sigurt. Por, kjo situatë mund të ndryshoj shumë shpejt sepse çdo ditë mund të ketë bombardime në çdo vend, siç ka ndodhur në të gjitha qytetet ku kam kaluar rininë time”, thotë ajo.
Lyudmila Makey, u bë gazetarja e parë ukrainase që u vendos në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, ndërmjetësuar nga Qendra Evropiane për Liri të Medias në bashkërendim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 150 mijë euro për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, ndërsa është zotuar që të ofrojë strehim për rreth 5 mijë refugjatë ukrainas.Që nga vendosja në Kosovë, zonja Makey thotë se rreth saj ka gjetur qetësinë, por jo edhe brenda vetes.
“Kam pasur përvojë në këtë luftë të punoj nga bodrumi, me sirena dhe zhurma nga bombardimet. Shumicën e kohës nuk kisha as energji elektrike, as internet dhe kisha vështirësi të punoj. Por tash që punoj nga Kosova është shumë qetë dhe nuk kam frikë nga zhurmat e bombardimeve çdo mëngjes. Megjithatë brenda meje nuk kam paqe sepse brengosem për njerëzit e mi”, thotë zonja Makey.
Vendosja në Kosovë, thotë ajo, i krijon mundësinë të thotë të vërtetën e luftës që shtrembërohet nga ana e Rusisë.
“Unë e di se ka njerëz që mund të thonë pse nuk ka qëndruar kjo në Ukrainë por ka ikur? Por unë nuk di të mbaj armë në douar dhe nuk e kam shikimin e mirë e as shëndetin e mirë. Puna më e mirë që mund të bëjë është të shkruaj, dhe materialet e mia mund të lexohen në tërë botën dhe të mësohet e vërteta”, thotë ajo.
Lyudmila Makey, e cila shkruan për faqen në internet të Unionit të Gazetarëve të Ukrainës si dhe punon si korrespondente për disa media në Lituani dhe Angli, thotë se që nga fillimi i luftës më shumë se 21 gazetarë janë vrarë, derisa mbi 25 të të tjerë janë zhdukur.