Lidhje

Sekretari Blinken: Një zmbrapsje alarmuese e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut


Sekretari Blinken gjatë seancës së informimit në Departamentin e Shtetit
Sekretari Blinken gjatë seancës së informimit në Departamentin e Shtetit

Pas publikimit të raportit të përvitshëm për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me tone të zymta.

"Kthimi pas (për respektimin e të drejtave të njeriut) fatkeqësisht vazhdon", tha Sekretari Blinken, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë.

"Shohim se çfarë lë pas kjo valë - trupa, duar të lidhura, të braktisur nëpër rrugë; teatro, stacione treni, godina banesash të shndërruara në rrënoja me civilët brenda tyre", tha kryediplomati amerikan, ndërsa Rusia vazhdon me mizoritë sistematike dhe në masë të gjerë në Ukrainë.

Për Rusinë, raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 nënvizoi dhunën e ushtruar ndaj kritikëve të Kremlinit dhe burgosjen e tyre. Vetëm këtë javë, një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit rus Vladimir Putin dhe një kritik i vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën, Vladimir Kara-Murza, u arrestua dhe u ndalua në Moskë.

Të tjerë, përfshirë Alexei Navalnin, i cili u helmua dhe u burgos, renditen si shembuj të privimit arbitrar të jetës nga Rusia dhe hakmarrjeve të motivuara politikisht kundër individëve brenda dhe jashtë vendit.

Opozitari rus Alexei Navalny gjatë një seance gjyqësore në Petushki, Rusi (17 janar 2022)
Opozitari rus Alexei Navalny gjatë një seance gjyqësore në Petushki, Rusi (17 janar 2022)

"Qeveritë po burgosin më shumë kritikë. Sot, më shumë se një milion të burgosur politikë mbahen në mbi 65 vende", tha Sekretari Blinken.

"I bëjmë thirrje Rusisë që të ndalojë abuzimin e ligjeve represive" për të vënë në objektiv qytetarët e saj, protestuesit jo të dhunshëm dhe paqësorë, si dhe individët që nuk po bëjnë asgjë më shumë se mbrojtjen e të drejtave të tyre universale, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konference për shtyp të martën.

Edhe përpara se të fillonte sulmi i Rusisë, Departamenti i Shtetit tha se sulmi i Moskës në vitin 2014 dhe aneksimi i Gadishullit të Krimesë të Ukrainës ka patur një efekt të rëndësishëm negativ në situatën e të drejtave të njeriut.

"Qeveria ruse vazhdoi të armatoste, stërviste, drejtonte dhe luftonte përkrah forcave separatiste të udhëhequra nga Rusia në Ukrainën lindore. Autoritetet gjithashtu kryen arrestime, ndalime dhe gjykime të motivuara politikisht të qytetarëve ukrainas në Rusi, shumë prej të cilëve pretendojnë se janë torturuar", thuhet në raport.

Për Kinën, Departamenti i Shtetit tha se "gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit" ndaj ujgurëve kryesisht myslimanë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang kanë vazhduar, me "arrestime masive të më shumë se një milion ujgurëve" dhe grupeve të tjera të pakicës myslimane në kampe internimi jashtëgjyqësore dhe dy milionë të tjerë që i nënshtrohen "riedukimit" gjatë ditës.

Policët kinezë në hyrje të Qendrës 3 të Ndalimit në Dabacheng, në rajonin autonom të uigurëve (23 prill 2021)
Policët kinezë në hyrje të Qendrës 3 të Ndalimit në Dabacheng, në rajonin autonom të uigurëve (23 prill 2021)

Në janar 2021, Shtetet e Bashkuara i klasifikuan zyrtarisht politikat e Kinës ndaj ujgurëve si gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Zyrtarët e qeverisë kineze dhe të shërbimeve të sigurisë shpesh bënë shkelje të të drejtave të njeriut pa u ndëshkuar, thuhet në raport.

"Problemet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme të vrasjeve arbitrare ose të paligjshme nga qeveria; zhdukjet e detyruara nga qeveria; torturat nga qeveria; kushtet e ashpra dhe kërcënuese për jetën në burg dhe gjatë paraburgimit", thotë Departamenti i Shtetit.

Për Iranin, raporti amerikan paraqet një pamje të rëndë, duke përmendur abuzime të rëndësishme të të drejtave të njeriut, përfshirë raporte të besueshme të ekzekutimeve për krime që nuk përmbushin standardin ligjor ndërkombëtar; vrasje arbitrare nga qeveria dhe agjentët e saj; zhdukjet me forcë që i atribuohen qeverisë dhe agjentëve të saj; tortura ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues nga qeveria dhe agjentët e saj; si dhe arrestimi apo ndalimi arbitrar.

"Ne vazhdojmë të gjejmë mënyra si në publik ashtu edhe në mënyra shumë të matura për të mbështetur njerëzit që po përpiqen të avancojnë situatën e të drejtave të njeriut në Iran", tha Lisa Peterson, ushtruese e detyrës së ndihmës sekretares së shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe çështjet e punës. "Ne kemi vënë gjithashtu në veprim një sërë mekanizmash të sanksioneve", shtoi ajo.

Irani vazhdon ekzekutimet në masë
Irani vazhdon ekzekutimet në masë

Raporti gjithashtu vuri në dukje veprimet e qeverisë egjiptiane kundër disidentëve politikë, korrupsionin e vazhdueshëm nga udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro dhe ndihmësit e tij kryesorë, dhe kufizimet e vendosura në fjalimin politik nga qeveritë si Kuba, Etiopia, Sudani dhe Bjellorusia.

Për gati pesë dekada, Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin e tij vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut. Raporti i vitit 2021 mbulon 198 vende dhe territore anembanë globit.

XS
SM
MD
LG