Lidhje

Inceneratorët, deputeti i PS, Bllako dorëzon mandatin pas kërkesës për arrestimin e tij


Në Shqipëri, deputeti socialist Alqi Bllako dorëzoi sot mandatin, pasi Prokuroria e Posaçme i kërkoi një ditë më parë parlamentit autorizimin për arrestimin e tij në kuadër të hetimeve për inceneratorët.

Në letrën e shkurtër drejtuar Kryesisë së parlamentit, deputeti Bllako shprehet se me dorëzimin e mandatit, vihet “në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke i hapur rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, - shkruan ai.

Deputeti socialist e njoftoi mbrëmë vendimin për të lënë vullnetarisht mandatin, duke shprehur bindjen se “një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë” e tij, e duke theksuar se nuk ka shkelur kurrë ligjet e vendit.

Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Pas aktit të sotëm të deputetit Bllako, Parlamenti njoftoi anullimin e mbledhjes së Këshillit të mandateve, e thirrur për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. Ndërsa Prokuroria e Posaçme i ka tani duart e lira të veprojë, pasi kërkesa për arrestim të pranohet dhe nga gjykata.

Për herë të parë për rastin e deputetit Bllako u shpreh në mbrëmje dhe kryeministri Edi Rama. Qëndrimi i tij në situata të tilla është i njohur. Edhe këtë herë ai përsëriti se “ka përgjegjësi individuale dhe jo përgjegjësi kolektive”. Sipas zotit Rama “zgjedhjet e njerëzve me të cilët vendos të bësh një rrugë të caktuar në punë, apo të bashkohesh në një project, bazohen mbi një sërë arsyesh e kriteresh, të cilat nuk prezumojnë për askënd, se kush zgjedh, është përgjegjës nëse i zgjedhuri prej tij apo prej saj, në një moment të caktuar të rrugës së vet shkel ligjin”, u shpreh kryeministri.

Zoti Bllako u përfshi në listën e kandidatëve për deputet, në Tiranë, duke qenë në pjesën e lartë të listës, apo siç konsiderohet, “zonë e sigurt”, ndërkohë që figura të tjera me emër të partisë socialiste u renditën shumë më poshtë tij.

Për kryeministrin “përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka politikanë, nuk të fortë, nuk ka të privilegjuar. Janë të gjithë të barabartë”. Madje sipas tij “gjithshka po ndodh, është përgjigja për të gjithë ata që nuk besuan se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi, se do të vinte dita se edhe njerëz me imunitet e pushtet do të shkonin përpara drejtësisë”.

XS
SM
MD
LG