Një raport i Fondit për të Drejtën Humanitare për vitin 2021, i publikuar të enjten, nxjerr në pah ngecjet e sistemit të drejtësisë në Kosovë në trajtimin e krimeve të luftës.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha gjatë paraqitjes së raportit “Drejtësia për viktimat e luftës – ku ka ngecur?” se gjatë vitit 2021 vetëm një aktakuzë është ngritur për krime lufte në Kosovë.
“Përkundër publikimit të strategjisë për krimet e luftës nga Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, efikasiteti në ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës nuk është i kënaqshëm. Përpos gjetjeve të Fondit në kuadër të këtij raporti i kemi adresuar edhe ngecjet aktuale në procesimin e rasteve të krimeve të luftës dhe kemi rekomdanduar disa hapa që duhet t’i ndërmarrin institucionet dhe organet e gjyqësorit të Kosovës”, tha ai.
Drita Hajdari udhëheqëse e departamentit për krime lufte në Prokurorinë e Posaçme, tha se pavarësisht që tani ligji në Kosovë lejon gjykimin në mungesë, ngritja e aktakuzave vazhdon të varet nga sigurimi i pranisë së të pandehurve.
“Parimi im profesional në radhë të parë, edhe njerëzor natyrisht është që kjo mundësi duhet të aplikohet në rastin kur janë shteruar të gjitha mundësitë ligjore për kapjen e kryesve të veprave penale. Pra gjykimi në mungesë të jetë si një mundësi e fundit për gjykimin e krimeve të luftës”, tha ajo.
Avni Vrajolli, shef i sektorit për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës, tha se arrestimi i kryesve të këtyre krimeve është sfidë për shkak të mungesës së bashkëpunimit rajonal dhe kohës së gjatë që ka kaluar nga kryerja e krimeve.
“Pamundësia për ndjekje të suksesshme penale ose identifikim të kreysve të këtyre veprave penale, kur e dijmë të gjithë se 99 për qind e më tepër të të dyshuarve dhe të pandehurve jetojnë jashtë kufijve Republikës së Kosovës. Është pastaj mungesa e dëshmive dhe provave të drejtëpërdrejta, vdejka, plakja dhe sëmundja e dëshmitarëve okularë e vet viktimave që kanë përjetuar krime të tmerrshme si dhe të të dyshuarve”, tha zoti Vrajolli.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se vendosja e drejtësisë për krimet e luftës varet nga vullneti politik i të dyja palëve.
“Drejtësia në Kosovë dhe në Serbi varet nga vullneti politik, akterët politik dhe publik mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur dinjitetin e të gjitha viktimave dhe të mbiejtuarve. Gjuha e urrejtjes, deklaratat e njëanshme dhe keqpërdorimi ose keqinterpretimi i së kaluarës, kanë ndikim negativ te viktimat dhe të mbijetuarit”, tha ai.
Përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë thanë se vonesat në trajtimin e krimeve të luftës, rrezikojnë paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
“Katër raste janë në pritje që nga mesi i vitit 2018, pra gati për katër vite, dhe kjo është në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Asnjë senacë nuk është mbajtur sa i takon këtyre rasteve. Dua të theksoj se duhet të gjinden mekanizma për zgjidhjen e këtyre rasteve”, tha Hakan Ejdervik, shef i seksionit për çështje juridike në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
“Kultura e mosndëshkimit dhe trashëgimia e krimeve të së kaluarës e cila mbetet e patrajtuar mundet vetëm ta dëmtojë paqen, ndërsa në kontekstin e Ballkanit Perendimor, mund të dëmtojë edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Pauline Menthonexx Gacaferri, zëvendës shefe e ambasadës së Zvicrës në Kosovë.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Ndërsa që nga përfundimi i luftës, nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtarë janë dënuar gjithsej 70 persona për kryerje të këtyre krimeve.