Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komunitetit LGBT në Kosovë, protestuan të enjten para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar gjuhën e përdorur nga deputetët e parlamentit, të cilët mes debateve të ashpra dështuan të miratojnë në parim projektkodit Civil, që do t’i hapte rrugën hartimit të një ligji për lejimin e bashkësive civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë mirëpritën mosvotimin e këtij Kodi, meqë sipas tyre alternativa e ofruar krijon paqartësi dhe nuk ofron zgjidhje për garantimin e të drejtës për jetë familjare të atyre që i takojnë këtij komuniteti. Megjithatë, dënuan gjuhën, siç u tha diskriminuese të deputetëve për këtë çështje.
“Në këtë kuvend dje është mundësuar legjitimimi dhe vazhdimi i shtypjes dhe dhunës ndaj komunitetit LGBTI+. Gjuha e përdorur prej deputetëve është nxitje për dhunë dhe thirrje për një përgjigje kolektive të dhunës ndaj personave LGBTI+. Dhuna është legjitimuar si formë kontrolli ndaj që nuk jetojnë dhe mendojnë si deputetët tanë”, tha Mirishahe Syla, pjesëmarrëse në këtë protestë.
Në Kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”, ndërsa në nenin tjetër të këtij Kodi theksohet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë do të rregullohen me ligj të veçantë.
Këto nene nxitën kundërshtime të forta gjatë debatit në parlamentin e Kosovës, ku 29 deputetë votuan kundër, 28 pro ndërsa katër abstenuan.
Labinotë Demi Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se mosvotimi i këtij kodi është “ruajtje e moralit publik”.
“Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën ndërmjet gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo pjesë e Kodit Civil po keqkuptohet dhe keqinterpretohet meqë nuk bëhet fjalë për lejimin e martesave ndërmjet gjinive të njejta.
“T’i heqim të gjitha dilemat sa i përket ligjit 1138, nuk bëhet fjalë për martesë, adoptim të fëmijëve ose funksione të tjera të familjes. Bëhet fjalë vetëm për paralajmërimin për ligj për bashkësi civile, pra ne po paralajmërojmë që do të ketë një ligj të veçantë për këtë gjë”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive opozitare thanë se nuk mund të votohet për një dokument të rëndësisë së tillë, pa e patur qëndrimin e qartë të qeverisë pas reagimit të bashkësive fetare për këtë çështje. Ata thanë se duhet të ketë guxim politik për trajtimin e të gjitha çështjeve sado të ndjeshme që janë ato, duke nënvizuar se trajtimi i çështjeve të ndjeshme është përgjegjësi e shumicës parlamentare.
Edhe deputetët e partive politike të minoriteteve jo serbe kundërshtuan votimin e Kodit Civil duke theksuar se verzioni aktual që rregullon “bashkësitë civile” është kundër vlerave dhe traditave familjare të vendit.
Kundër votimit të Kodit Civil janë deklaruar edhe udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, të cilët kanë nënshkruar muajin e kaluar një deklaratë të përbashkët.
Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.