Lidhje

Kosova përballë rritjes së çmimit të karburantit


Kosova gas pricess
Kosova gas pricess

Majlinda Doda, gazetare me profesion, ndërsa po furnizonte veturën me karburant të mërkurën, shprehu shqetësimin e saj për rritjen e çmimit të naftës, duke e konsideruar atë të papërballueshëm.

“Po shpresoj që do të ketë ulje të çmimit sepse është tepër i lartë për buxhetin tonë. Çmimet janë ngritur në nivel të Evropës ndërkaq pagat janë në nivel të Kosovës që është e papërballueshme për ne duke patur parasyshë që edhe tregu ka shënuar rritje rekord të çmimeve, çmimeve të gjërave themelore që na duhen”, thotë ajo.

Ngritja e çmimit të naftës në Kosovë është pjesë e një vale të re çmimesh në tregjet e naftës dhe gazit në tërë botën, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kjo e fundit është një prej eksportuesve më të mëdhenjë të naftës dhe gazit në tregun botëror.

Qytetarët thonë se çmimet e reja kanë vështirësuar në masë të madhe jetën e tyre.

“Drejtëpërdrejtë ka ndikuar në jetën time sepse kam edhe një biznes ku merrem me materjale elektrike. Ka ndikuar shumë sepse është rritur çmimi i naftës, bakrit dhe secilit produkt që ne e shesim. Tani është shumë më shtrenjtë të blesh e pastaj duhet ta shesim dhe qytetari është i fundit që e paguan çmimin, kështu që situata nuk është e mirë”, thotë një qytetar.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se qytetarët e Kosovës gjatë 24 orëve shpenzojnë mesaatarisht 2.5 milionë litra derivate lëndë djegëse. Sasia më e madhe e tyre, sipas tij, vjen nga Shqipëria, pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lekë Musa, thotë se kjo krizë ekonomike është afatshkurtër.

“Të gjitha këto ndërhyrje në periudhën më afatgjate stabilizohen sepse janë ndërhyrje artificiale po themi, për shkak të trazirave të ndryshme të luftës dhe në një periudhë pak më të gjatë kohore pres që të stabilizohen, prandaj mendoj se paniku nuk i bën mirë askujt përveç përkeqësimit të situatës”, thotë ai.

Kryemistri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkuren se rritja e çmimeve është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë, duke iu referuar sanksioneve të botës perendimore ndaj Rusisë. Ai njoftoi se në përgjigje ndaj situatës aktuale, qeveria ka vendosur të subvencionojë naftën për fermerët në vlerë prej 5 milonë eurosh.

“Në masën 36 cent për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat. Në raport me rrethanat e krijuara për produkte të tilla strategjike, bujqit përveç naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror, 150 euro për hektar gruri, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e patates, misrit dhe fasules. Ndërkaq për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionim prej 3 cent për kilogram për dorëzim në mulli të rendimentit”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se qeveria nuk mund të kontrollojë çmimin e naftës por do të shtojë kontrollin e tregut të saj të brendshëm duke hedhur dyshime për manipulim me çmime.

Zoti Musa thotë se në ekonomi të tregut të lirë, siç e ka Kosova, nuk është e drejtë që qeveria të përcaktojë modelin e vendosjes së politikave të çmimeve. .

“Ajo kohë ka përfunduar kur ne mund të ndikojmë në çmime, gjithmonë do të ketë shfrytëzim të situatave të caktuara për të rritur fitimet në mënyrë të padrejtë, mirëpo e tillë është ekonomia dhe çfarë qeveria e Kosovës mund të bëjë është që të ndihmojë me asistencë direkte shtresat e varfëra në aspekt social dhe aty ku ka vend nëpërmjet subvencioneve direkte”, thotë zoti Musa.

Partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë e Kosovës për mënyrën e trajtimit të situatës së ngritjes së çmimeve, duke kërkuar masa më emergjente. Ndërkaq qeveria thotë se vetëm në 4 muajt e fundit ka ndarë 190 milionë euro si përgjigje ndaj kësaj situate.

Kosova, si shumë vende të tjera të botës, është përballur me rritje çmimesh qysh para shpërthimit të luftës në Ukrainë. Inflacioni në janar të këtij viti arriti në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të vitit 2021. Ekspertët thonë se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Zoti Musa thotë se kur çmimet njëherë ngriten është vështirë të kthehen, me përjashtim të produkteve që tregtohen në bursë ndërkombëtare.

“Çmimi i naftës dhe derivateve tjera varet nga tregjet ndërkombëtare, kjo vlen edhe për rezervat për minerale të ndryshme. Prandaj pres që çmimet që diktohen në tregjet ndërkombëtare do të reflektohen. Produktet e tjera të konsumit të gjerë rrezikojnë që mos të kthehen në periudhën në të cilën kemi pasur një stabilitet”, thotë ai.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave - Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ultë minimale në Evropë. Aktualisht, rreth 26 mijë familje jetojnë me asistencë sociale në Kosovë.

Kosova është e varur në masë të gjerë nga importi, në mungesë të kapacitetve të mjaftueshme të prodhimit të energjisë, të burimeve të naftës, dhe të prodhimtarisë vendore.

XS
SM
MD
LG