Diaspora ukrainase protestoi anë e mbanë botës, kundër agresionit rus në Ukrainë. Shumë protestues i bënë thirrje Perëndimit të mbështeste më shumë Ukrainën, ndërsa bënin thirrje për ndalimin e luftimeve.
E gjithë bota reagoi kundër agresionit rus në Ukrainë.
Me thirrjet “ Ndalni luftën!”, “Stop Rusisë” mijëra banorë dolën në protestë në sheshin “Time Square” në Nju Jork.
Qyteti i Nju Jorkut është shtëpia e më shumë se 150 mijë qytetarëve ukrainas, e shumë prej tyre me lot në sy bënin thirrje për ndalimin e luftës.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë tmerrin dhe tronditjen, edhe pse kishim paralajmërime për javë të tëra”, thotë Katerina Belyaeva, shtetase ukrainase.
Disa javë para sulmit, Bjellorusia lejoi trupat ruse në tokën e saj, duke krijuar kështu një rrugë për të sulmuar fqinjin e saj jugor, Ukrainën, nga veriu.
“Ndjehem shumë e turpëruar që vendi im e mbështeti këtë regjim dhe këtë agresion. Dhe ndihem shumë e turpëruar që njerëzit e vendit tim e bëjnë këtë, ata po vrasin ukrainasit”, thotë Sasha Vasilyeva nga Bjellorusia.
Një grup protestuesish në kryeqytetin amerikan, Uashington, në rrugën para ambasadës ruse shkruajtën: Vrasës! Disa mbanin në duar pankarta ku thuhej: “Duart larg Ukrainës”.
Protestuesit në Toronto të Kanadasë teksa valëvitën flamuj ukrainas kërkuan sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
“Familja ime është atje në Ukrainë, të gjithë miqtë e mi janë atje në Ukrainë. Unë jam vetëm, nuk kam fjalë. Unë nuk e dua këtë luftë, askush nuk dëshiron” thotë Artem, një student nga Ukraina.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në shumë kryeqytete europiane. Protestues të diasporës ukrainase në Paris u shprehën të zhgënjyer nga reagimi i Perëndimit.
“Unë prisja një reagim më të fortë nga Shtetet e Bashkuara ose nga Bashkimi Evropian. Sigurisht ne presim një ndihmë, ose të paktën një mbështetje më efikase sepse ka filluar të jetë e vështirë, ka filluar të bëhet më e vështirë”, thotë Oksana, një ish-mësuese në Ukrainë.
Në Romë, Koloseu mori ngjyrat e flamurit Ukrainës, në shenjë mbështetjeje për vendin i cili është nën agresionin ushtarak rus.