Lidhje

Serbia nuk u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë - mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten mbrëma se Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, por në të njëjtën kohë mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës.

Serbia është vendi i fundit në Ballkan që është shprehur rreth situatës në Ukrainë dhe të premten ritheksoi se “është në rrugën evropiane”, por nuk do të krijojë armiqësi për hir të të tjerëve.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave Rusinë, si dhe me Kinën.

Presidenti serb tha se nuk është interes politik e as ekonomik që t’i vendosë sanksione Rusisë, e cila tha ai, “mbështet tërësinë e Serbisë” dhe është e vetmja garantuese e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Serbia, tha presidenti Vuçiç, ka vendosur që pezullojë stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët e saj.

Një zëdhënës i departamentit amerikan të Shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin mbështetjen e presidentit të Serbisë, për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “shkelja e hapur e së drejtës ndërkombëtare nga Rusia dhe sulmi barbar kundër një Ukrainës demokratike, duhet të ndalet menjëherë”.

Më herët gjatë javës zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se presin që të gjitha vendet që aspirojnë integrimin, të harmonizojnë politikat e tyre me vendimet e bllokut, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Presidenti serb tha se është gjetur nën trysni “të rëndë” ndërkombëtare.

Shumica e vendeve të Ballkanit u janë bashkuar sanksioneve.

XS
SM
MD
LG