Lidhje

Veprimtarët thirrje Presidentit Biden të bëjë më shumë për të ndaluar dhunën me armë zjarri


Katër vjet pas vrasjes së 17 nxënësve në shkollën e mesme “Stoneman Douglas” në qytetin Parkland të Floridës, familjet dhe veprimtarët për kontrollin e armëve po i kërkojnë Presidentit Joe Biden që të bëjë më shumë për të trajtuar dhunën me armë.

Manuel Oliver, babai i një nxënësi të vrarë shkroi në rrjetin Twitter, në përvjetorin e humbjes së djalit të tij në Partland, se kishte hipur mbi një vinç ndërtimi 46 metra të lartë pranë Shtëpisë së Bardhë.

“E gjithë bota do të dëgjojë Joaquin-in sot. Ai ka një mesazh shumë të rëndësishëm”, shprehej Manuel Oliver në një video të postuar në rrjetin Twitter rreth orës 6:50 të mëngjesit, duke iu referuar djalit të tij, Joaquin Oliver. “Kam kërkuar një takim me Joe Biden një muaj më parë, dhe ende nuk kam një përgjigje”.

Zoti Oliver mbante një foto të djalit të tij të vrarë dhe kritikoi Presidentin Biden për viktimat me armë zjarri gjatë presidencës së tij. Policia shkoi në vendngjarje ndërsa të paktën dy individë ishin ngjitur në vinç. Organet e rendit thanë më vonë se tre njerëz ishin ndaluar, pa i identifikuar ata.

Ndërkohë, dhjetëra veprimtarë pritet të mblidhen pranë Shtëpisë së Bardhë për të promovuar një faqe interneti që tregon për 47.000 të vrarë me armë zjarri dhe 42.000 të plagosur që nga inaugurimi i Presidentit Biden në detyrë.

Hulumtuesit që kanë përpiluar të dhënat po ashtu kanë shkruar emrat e të rinjve të vrarë dhe të plagosur si dhe vrasjet masive që kanë ndodhur gjatë periudhës së Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë. Faqja elektronike po ashtu ka një veçori që u mundëson përdoruesve që t’i bëjnë thirrje publike Presidentit Biden dhe zyrtarëve të tjerë që të veprojnë kundër dhunës me armë.

“Si kandidat, Joe Biden premtoi se do t'i jepte përparësi parandalimit të dhunës me armë. Por Presidenti Biden nuk e ka bërë këtë gjë”, tha Igor Volsky, themelues dhe drejtor ekzekutiv i grupit “Guns Down America”.

Gjatë vitit të parë në detyrë, përpjekjet e Presidentit Biden për të miratuar ligje më të rrepta për armëmbajtjen nuk kanë shkuar përtej projekteve në letër. Presidenti u detyrua gjithashtu të tërheqë kandidatin e tij për drejtimin e agjencisë për kontrollin e armëve të zjarrit, eksplozivëve, alkoolit dhe duhanit që njihet si ATF. Grupi po i kërkon Presidentit Biden që të krijojë një zyrë kombëtare për të adresuar dhunën me armë zjarri dhe për të emruar një kandidat të ri për drejtuar agjencinë ATF.

XS
SM
MD
LG