Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Lirohen tre amerikanë të burgosur në Kinë prej vitesh


Tre shtetas amerikanë, të burgosur prej vitesh nga Kina, janë liruar dhe po kthehen në Shtetet e Bashkuara, tha të mërkurën Shtëpia e Bardhë, duke njoftuar për një marrëveshje të rrallë diplomatike me Pekinin në muajt e fundit të administratës së Presidentit Biden.

Ata janë Mark Swidan, Kai Li dhe John Leung, për të cilët qeveria amerikane kishte thënë se ishin ndaluar pa të drejtë. Mark Swidan përballej me dënim me vdekje nën akuzat për drogë ndërsa dy të tjerët, Kai Li dhe John Leung ishin burgosur nën akuzat për spiunazh.

“Ata do të kthehen së shpejti dhe do të ribashkohen me familjet e tyre për herë të parë pas shumë vitesh”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.

Lirimi vjen vetëm dy muaj pasi Kina liroi pastorin e krishterë nga Kalifornia, David Lin, i cili kaloi gati 20 vjet pas hekurave në bazë të një dënimi për mashtrime.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të trazuara prej vitesh lidhur me mosmarrëveshje të theksuara mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Mosmarrëveshjet variojnë që nga tregtia, të drejtat e njeriut, prodhimi i kimikateve që përdoren për drogën fentanil, çështje të sigurisë ku përfshihet edhe spiunazhi si dhe sulmet kibernetike. Probleme të tjera janë edhe agresiviteti i Kinës ndaj Tajvanit dhe shteteve më të vogla fqinje në Detin e Kinës Jugore dhe mbështetja e Pekinit për sektorin e industrisë ushtarake të Rusisë.

Lirimi i amerikanëve, mbajtja e të cilëve në burgjet kineze ishte kosnideruar i padrejtë nga qeveria amerikane, ka qenë ndër pikat kryesore të axhendës në çdo takim midis SHBA-së dhe Kinës. Zhvillimi i së mërkurës sugjeron një gatishmëri të Pekinit për t'u angazhuar me administratën demokratike në largim përpara kthimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar.

Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump ndërmori veprime të theksuara kundër Kinës në lidhje me tregtinë dhe diplomacinë. Ai është zotuar për vazhdimin e këtyre politikave edhe gjatë mandatit të dytë, çka ka shkaktuar shqetësim tek shumë njerëz, të cilët kanë frikë se një luftë tregtare gjithëpërfshirëse do të ndikonte thellësisht tek ekonomia botërore dhe mund të nxisë veprime të mundshme ushtarake kineze kundër Tajvanit.

Megjithatë, dy vendet kanë zhvilluar një dialog që ka mundësuar rivendosjen e pjesshme të kontakteve midis dy ushtrive. Presidenti Joe Biden dhe homologu kinez, Xi Jinping, u takuan në fillim të këtij muaji për të diskutuar përmirësime të mundshme.

Një zyrtar amerikan tha se administrata e Presidentit Biden e kishte ngritur me Kinën çështjet e amerikanëve të arrestuar në takime të shumta gjatë viteve të fundit, përfshirë në fillim të këtij muaji kur zoti Biden foli me zotin Xi gjatë takimit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Peru.

Rrjeti Politico ishte i pari që njoftoi lirimin e të burgosurve amerikanë, ndërsa tha se ishte pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Shtëpia e Bardhë nuk konfirmoi menjëherë lirimin e ndonjë të ndaluari kinez.

Kai Li, një emigrant kinez i cili filloi një biznes eksporti në Shtetet e Bashkuara, u ndalua në vitin 2016 pas një udhëtimi në Shangai.

Ai u vu nën vëzhgim, u mor në pyetje pa praninë e një avokati mbrojtës dhe ndaj tij u ngritën akuza se i kishte dhënë FBI-së sekrete shtetërore. Një ekip i Kombeve të Bashkuara e quajti dënimin e tij me 10 vjet burg si një vendim arbitrar ndërsa familja e tij tha se akuzat ishin të motivuara politikisht.

John Leung u dënua vitin e kaluar me burgim të përjetshëm nën akuzat për spiunazh. Ai u arrestua në vitin 2021 nga agjencia kineze e kundërzbulimit në Suzhou pasi Kina kishte mbyllur kufijtë dhe vënë kufizimi të rrepta udhëtimi dhe sociale për të luftuar përhapjen e COVID-19.

Mark Swidan ishte dënuar me 12 vjet burg nën akuzat për drogë. Që të tre ishin konsideruar nga Departamenti i Shtetit se ishin arrestuar pa të drejtë.

XS
SM
MD
LG