Lidhje

Ligjvënësit amerikanë pranë arritjes së marrëveshjes për sanksionet ndaj Rusisë


Ligjvënësit amerikanë pranë marrëveshjes për sanksionet ndaj Rusisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Ligjvënësit amerikanë janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për sanksione që kanë si synim të parandalojnë një ndërhyrje të mundshme nga Presidenti Vladimir Putin në Ukrainë. Disa ligjvënës që u kthyen së fundmi nga një udhëtim në Kiev i thanë korrespondentes së Zërit të Amerikës, Katherine Gypson se ekziston një vullnet i gjerë dypartiak lidhur me qëndrimin ndaj Rusisë.

Rreth 127,000 trupa ruse janë grumbulluar përgjatë kufijve me Ukrainën, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin thotë se kërkesat e tij, përfshirë premtimin se Ukraina nuk do të anëtarësohet asnjëherë në NATO, nuk janë përmbushur. Ligjvënësit amerikanë po përgatisin aktualisht një sërë sanksionesh për të parandaluar një konflikt në Evropë.

"Sigurisht që nuk duam përshkallëzimin e situatës në një konflikt ushtarak. Shpresojmë që situata të zgjidhet përmes diplomacisë shumëpalëshe. Mendoj se kjo është absolutisht e mundur dhe shpresoj që Presidenti Biden të jetë në gjendje ta realizojë një gjë të tillë me sukses", i tha senatorja demokrate, Kirsten Gillibrand Zërit të Amerikës.

Republikanët në Kongres kanë kritikuar administratën e Presidentit Biden se nuk ka vepruar me shpejtësi për të frenuar zotin Putin.

"Sanksionet pas ndërhyrjes janë më pak efektive se sa sanksionet paraprake dhe shpresoj që administrata do ta ketë parasysh këtë në të ardhmen. Ato kanë me të vërtetë peshë”, thotë udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Por në një shfaqje të rrallë uniteti në Kongres, ligjvënësit e të dyja palëve po përgatisin legjislacion dypartiak për sanksione që do të kishin pasoja të rënda ekonomike.

"Zotit Putin do t’i duhej t’i merrte të ardhurat e naftës si Saddam Husseini. Alternativa e tij e vetme do të ishte ta shiste naftën në tregun e zi, sepse do ta kishte të pamundur të kryente transaksione bankare. Kjo do të ishte pasoja më e rëndë nga sanksionet. Do të ketë edhe pasoja të tjera, që populli rus do t’i shohë dhe do të pyesë veten a është kjo diçka që do ta toleronte”, tha ligjvënësi republikan, Mark Green për Zërin e Amerikës.

Demokratët duan që një nga sanksionet më të rënda të përdoret vetëm nëse presidenti Putin sulmon Ukrainën.

"Nëse zoti Putin pushton Ukrainën, gazsjellësi Nord Stream Two nuk do të vazhdojë dhe ndoshta nuk do të përfundojë kurrë. Dhe kjo do të ketë një ndikim të madh ekonomik në Rusi. Me mbështetjen e gjerë dypartiake ne ndoshta do të zbatojmë sanksionet më masive që kemi vendosur ndonjëherë. Asnjë prej nesh nuk e bën me dëshirë një gjë të tillë, sepse e kuptojmë që do të ndikonte tek populli rus. Por gjithçka varet nga zoti Putin", thotë ligjvënësi demokrat, Ami Bera.

Disa anëtarë të Kongresit që ishin së fundmi në Ukrainë dhe u takuan me zyrtarët e vendit thonë se ndihma amerikane do të armatosë ukrainasit që t’i bëjnë ballë kërcënimit rus. Ata gjithashtu vlerësuan unitetin mes aleatëve të Amerikës.

"Më bëri shumë përshtypje uniteti. Ne shkuam në Bruksel dhe u takuam me homologët tanë të BE-së dhe udhëheqësit e NATO-s dhe të gjithë ishim të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj agresionit dhe në mbështetje të një vendi demokratik që lufton për liri", thotë ligjvënësja demokrate Mikie Sherrill për Zërin e Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se së shpejti do të dërgojnë dy mijë trupa në Rumani, Poloni dhe Gjermani.

XS
SM
MD
LG