Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë injoruar kërkesat kryesore të Rusisë mbi sigurinë, por shtoi se Moska është ende e hapur për më shumë bisedime me Perëndimin për uljen e tensioneve rreth Ukrainës.
Zoti Putin argumentoi se është e mundur të negociohet një përfundim i ngërçit nëse merren parasysh interesat e të gjitha palëve, duke përfshirë shqetësimet ruse mbi sigurinë.
Ai shprehu keqardhje për refuzimin nga Perëndimi të kërkesave të Kremlinit që NATO të mos pranojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë, të mos dislokojë armë pranë kufirit rus dhe do të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Kërkesat, të refuzuara nga NATO dhe SHBA, vijnë mes frikës se Rusia mund të pushtojë Ukrainën, nxitur nga grumbullimi i rreth 100,000 trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës. Bisedimet midis Rusisë dhe Perëndimit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.
Udhëheqësi rus tha se refuzimi i aleatëve perëndimorë për të marrë parasysh kërkesat e Moskës është një shkelje e detyrimeve të tyre ndaj integritetit të sigurisë për të gjitha vendet dhe këmbënguli se një zgjidhje mund të gjendej përmes bisedimeve të mëtejshme.
Ai paralajmëroi se pranimi i Ukrainës në NATO mund të çojë në një situatë, ku autoritetet ukrainase mund të nisin një aksion ushtarak për të rimarrë Krimenë ose zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit.
“Imagjinoni nëse Ukraina bëhet anëtare e NATO-s dhe nis operacionet ushtarake”, tha zoti Putin. “A duhet të luftojmë kundër NATO-s në atë rast? A ka menduar dikush për këtë?”
Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 pas rrëzimit të presidentit pro-rus në Kiev dhe më vonë mbështeti kryengritësit në zemrën industriale lindore të Ukrainës, duke shkaktuar një konflikt, në të cilin u vranë mbi 14,000 vetë.
Duke folur pas bisedimeve me kryeministrin hungarez Victor Orban në Kremlin, zoti Putin theksoi se është ende e mundur të gjendet një zgjidhje që do të merrte parasysh shqetësimet e secilës palë.
Ai tha se Presidenti francez Emmanuel Macron mund të vizitojë së shpejti Moskën si pjesë e përpjekjeve të rinovuara diplomatike pas bisedës së tyre telefonike të hënën.
Victor Orban, i cili ka krijuar lidhje të ngushta me zotin Putin, duke e vendosur Hungarinë, e cila është anëtare e NATO-s, në një pozicion unik, theksoi se asnjë udhëheqës evropian nuk dëshiron një luftë në rajon dhe shprehu shpresën për një zgjidhje. Udhëheqësi hungarez ka shmangur marrjen e një qëndrimi përfundimtar mbi grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe disa nga kundërshtarët e tij në Budapest e kritikuan udhëtimin e tij në Moskë, duke e quajtur atë si një tradhti të interesave të Hungarisë dhe atyre të aleancave perëndimore.
Në përpjekje për të ushtruar presion mbi Perëndimin, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u ka dërguar një letër homologut të tij amerikan dhe atyre të vendeve të tjera perëndimore, në të cilën kërkon shpjegimet e tyre në lidhje me detyrimet e kaluara të nënshkruara nga të gjithë anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, një grupim transatlantik i sigurisë.
Rusia ka argumentuar se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ka dëmtuar sigurinë e Rusisë, duke shkelur parimin e ofrimit të sigurisë së barabartë për të gjitha kombet, pavarësisht nga angazhimet e tyre politike, ekonomike apo ideologjike, miratuar nga OSBE-ja në vitet 1999 dhe 2010.