Lidhje

SHBA i kërkon Rusisë ulje të tensioneve mbi Ukrainën


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, gjatë së cilës zoti Blinken i kërkoi zotit Lavrov, që Rusia të ulë menjëherë tensionet lidhur me Ukrainën, si dhe të tërheqë trupat e pajisjet ushtarake nga kufijtë e këtij vendi. Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhej se zoti Blinken theksoi gjithashtu gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar një ‘shkëmbim kuptimplotë’ me Rusinë lidhur me shqetësimet reciproke mbi sigurinë.

Sekretari Blinken përsëriti më tej angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe të drejtën e të gjitha vendeve për ta përcaktuar vetë politikën dhe aleancat e tyre të jashtme. Kryediplomati amerikan theksoi se një pushtim i Ukrainës do të përballej me pasoja të menjëhershme e të rënda, ndaj i kërkoi Rusisë të vazhdojë të ndjekë rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës mbi Ukrainën.

Biseda vjen ndërsa tensionet mes palëve lidhur me grumbullimin e trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën janë rritur. Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan në Gjenevë më 21 janar dhe që atëhere të dy vendet kanë shkëmbyer përgjigje me shkrim për të bërë të qarta qëndrimet respektive.

Dje përfaqësuesit e Uashingtonit dhe Moskës në Këshillin e Sigurisë së OKB-së zhvilluan diskutime me tone të nxehta, duke akuzuar njëri-tjetrin për tensionim të situatës.

Rusia thotë se Shtetet e Bashkuara nuk i janë përgjigjur pozitivisht shqetësimit të saj kryesor lidhur me sigurisë, siç është ndalimi i zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, veçanërisht anëtarësimin në aleancë të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Ukraina i kanë konsideruar këto kërkesa si një kufizim të papranueshëm të aftësisë për të vendosur vetë lidhur me interesat e tyre.

Shtetet e Bashkuara thanë se morën mbrëmë një përgjigje me shkrim nga Rusia, por Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar të bëjë të ditur përmbajtjen, duke thënë se dëshiron t’i mbajë negociatat private. Por, Zv/Ministri i Jashtëm rus Alexandër Grushko mohoi sot që Rusia t’i ketë kthyer përgjigje Uashingtonit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ka lindur një “konfuzion” dhe se përgjigja ruse është ende duke u hartuar dhe se ajo do të formulohet nga Presidenti Putin.

Shtypi rus, citon diplomatë të paidentifikuar të kenë thënë se Ministri i Jashtëm Lavrov u ka dërguar një letër homologëve të tij Perëndimorë, përfshirë, Sekretarin amerikan të Shtetit rreth “parimeve të sigurisë” bazuar në një dokument të nënshkruar nga gjithë vendet anëtare të OSBE-së.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar të vendosin sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë nëse Moska sulmon Ukrainën. Në vitin 2014 Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe thotë se nuk ka në plan ta sulmojë përsëri Ukrainën.

Të martën Kryeministri britanik Boris Johnson bëri një vizitë në Kiev në një shfaqje të mbështetjes perëndimore që synon të bindte Presidentin rus Vladimir Putin se do të paguante një çmim të lartë nëse do të ndërmerrte një akt agresioni ndaj Ukrainës.

Zoti Johnson tha se Presidenti rus Vladimir Putin i ka vendosur 'pistoletën në kokë' Ukrainës në një përpjekje për ta detyruar atë të ndryshojë mënyrën se si është ndërtuar siguria evropiane, duke theksuar se ai nuk po e ekzagjeron kërcënimin rus ndaj Ukrainës.

"Ky është një rrezik i qartë dhe i pranishëm. Ne shohim një numër të madh trupash të grumbulluara, ne shohim përgatitjet për të gjitha llojet e operacioneve që janë në përputhje me një fushatë ushtarake të afërt", tha zoti Johnson, duke shtuar se do të bisedonte me zotin Putin të mërkurën.

"Ka të bëjë me të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë, sepse mos kini asnjë dyshim për atë që mendoj se Presidenti Putin po përpiqet të arrijë. Unë mendoj se ai po përpiqet, duke mbajtur një armë si të thuash në kokën e Ukrainës, ta frikësojë atë, për të na bërë të ndryshojmë mënyrën se si ne e shikojmë sigurinë evropiane.

Në komente të lëshuara përpara mbërritjes së tij në Kiev, zoti Johnson i bëri thirrje Rusisë të tërhiqet dhe të angazhohet në dialog për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme.

Disa vende kanë larguar personelin jo thelbësor të ambasadës nga Kievi. Të martën Uashingtoni këshilloi që të shmangen udhëtimet për në Bjellorusi për shkak të rritjes të aktivitetit ushtarak të pazakontë dhe shqetësues rus pranë kufirit me Ukrainën.

Po sot (e martë) Presidenti i Ukrainës nënshkroi një dekret për të rritur forcat e armatosura të vendit me 100,000 trupa gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa udhëheqesit evropianë janë rreshtuar krah tij në përplasjen me Rusinë.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje ligjvënësve të qëndrojnë të qetë e të shmangin panikun, duke thënë se ai kishte urdhëruar rritjen "jo sepse së shpejti do të ketë luftë, por sepse së shpejti dhe në të ardhmen do të ketë paqe në Ukrainë".

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës. Ajo mohon se ka në plan ta pushtojë atë, por thotë se mund të ndërmarrë veprime ushtarake, të cilat nuk i ka specifikuar, nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, siç është ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre thonë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të sillte sanksione të ashpra.

Forcat e armatosura të Ukrainës llogariten në rreth 250,000, krahasuar me fuqinë e përgjithshme të Rusisë prej rreth 900,000 trupash ushtarake. Forcat ushtarake ruse kanë zhvilluar stërvitje në Bjellorusi dhe në rajonin separatist të Moldavisë, çka do të bënte të mundur një sulm nga disa drejtime. Ukraina tha se po punonte me Poloninë dhe Britaninë për të forcuar bashkëpunimin "në kontekstin e agresionit të vazhdueshëm rus".

Gjatë një vizite në Kiev, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se Varshava do të ndihmojë Ukrainën me furnizime me gaz dhe armë, si dhe me ndihmë humanitare dhe ekonomike.

"Duke jetuar pranë një fqinji si Rusia, ne kemi ndjenjën se jetojmë në rrëzë të një vullkani", tha zoti Morawiecki, i cili u premtoi autoriteve të Ukrainës municione, mes tyre sisteme portative të mbrojtjes ajrore dhe dronë për vëzhgim.

XS
SM
MD
LG