Lidhje

SHBA, AT&T dhe Verizon shtyjnë futjen në përdorim të rrjetit 5G


Kompanitë amerikane të telekomunikacionit, AT&T dhe Verizon, vendosën të shtyjnë futjen në përdorim të rrjetit 5G pranë aeroporteve kryesore, pasi kompanitë ajrore më të mëdha të vendit, thanë se shërbimi do të ndërhynte tek funksionimi i avionëve, duke shkaktuar ndërprerje masive të fluturimeve.

Kompanitë e morën vendimin të martën ndërsa administrata Biden u përpoq të ndërmjetësonte një marrëveshje mes kompanive të telekomunikacionit dhe kompanive ajrore, mbi shtrirjen e shërbimit të ri 5G, që ishte planifikuar të futej në përdorim të mërkurën.

Sekretarja Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të martën se gjatë orëve në vazhdim, administrata do të përqëndrohej tek gjetja e një zgjidhjeje që do të minimizonte problemet me trafikun ajror të pasagjerëve, mallrave dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Kompanitë ajrore kërkojnë bllokimin e shërbimit të ri 5G brenda një rrezeje prej tre kilometrash nga pistat e aeroportit, duke pretenduar se ai ndërhyn tek një pajisje që pilotët përdorin për të bërë uljen e avionit, kur shikueshmëria është e dobët.

Kompanitë e telekomunikacionit (AT&T dhe Verizon) thanë se pajisjet e tyre nuk ndërhyjnë tek pajisjet elektronike të avionëve dhe se teknologjia e tyre, po përdoret në mënyrë të sigurt në shumë vende të tjera të botës.

Presidenti Joe Biden tha se administrata do të vazhdojë të punojë me të dyja kompanitë për të arritur një zgjidhje të përhershme rreth aeroporteve kyçe.

XS
SM
MD
LG