PASSAIC, Nju Xhersi - Një zjarr vazhdoi të digjet në mënyrë dramatike gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjesin e të shtunës pranë një fabrike kimikatesh në veri të Nju Xhersit. Autoritetet nuk lëshuan urdhëra evakuimi dhe nuk pati lëndime serioze, ndërsa tymi i rëndë dhe era e djegies u ndjenë deri në qytetin e Nju Jorkut.
Zjarri në fabrikën e kimikateve të kompanisë Majestic Industries and Qualco në Passaic, përfshiu godinat ku magazinoheshin materiale plastike, palete e klorinë, thanë zyrtarët. Megjithatë u arrit të shmangej katastrofa.
Ekipet e emergjencave luftuan me flakët deri në mëngjes tha kryebashkiaku Hector Lora, dhe u arrit që të izolohej zjarri.
Banorët u këshilluan të mbyllnin dritaret, por nuk iu kërkua të evakuohen. Zyrtarët thanë se cilësia e ajrit ishte e pranueshme dhe se do të vazhdonin monitorimin.
Megjithatë disa banorë u larguan vetë.
Moti shumë i ftohtë ngriu ujin në pompa dhe tuba, duke i penguar sigurimin e ujit nga lumi Passaic si dhe duke shkaktuar rrëshkitjen e zjarrfikësve. Një zjarrfikës u paraqit në spital me lëndim në sy.