Lidhje

Martin Shkreli urdhërohet të kthejë 64 milionë dollarë


Një gjykatëse federale urdhëroi të premten Martin Shkrelin të kthejë 64.6 milionë dollarë fitime që ai dhe kompania e tij kishin siguruar nga rritja masive artificiale e çmimit të ilaçit Daraprim dhe ia ndaloi atij përgjithmonë të marrë pjesë në industrinë farmaceutike.

Vendimi i gjykatëses Denise Cote erdhi disa javë pas një procesi gjyqësor shtatë ditor në dhjetor. Komisioni Federal i Tregtisë dhe shtatë shtete ngritën padi ndaj Shkrelit në vitin 2020.

Shkreli ishte shef ekzekutiv i kompanisë Turing Pharmaceuticals – që më pas u quajt Vyera - kur ajo rriti çmimin e ilaçit Daraprim, i cili trajton një infeksion të rrallë parazitar që prek gratë shtatzëna, pacientët me kancer dhe pacientët me SIDA.

Ai dhe kompania e rritën çmimin 5 mijë për qind, ose 750 dollarë për pilulë.

Shkreli i mbrojti veprimet e tij duke thënë se ishte në përputhje me rregullat e kapitalizmit dhe tha se sigurimet dhe programet e tjera bëjnë të mundur që njerëzit që kanë nevojë për Daraprim të mund ta sigurojnë atë.

Por veprimet e tij ngjallën indinjatë duke filluar që nga qendrat mjekësore deri tek kandidatët për president në vitin 2016, Hillary Clinton dhe Donald Trump.

XS
SM
MD
LG