Lidhje

Dita e parë e bisedimeve "të sinqerta dhe të drejtpërdrejta" SHBA-Rusi


UASHINGTON - Shtetet e Bashkuara dhe Rusia filluan diskutime "të sinqerta dhe të drejtpërdrejta", me synimin për të ulur tensionet mes dy fuqive, ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të mbajë të dislokuara rreth 100 mijë forca përgjatë kufirit ukrainas, tha Shtëpia e Bardhë të hënën.

Jen Psaki
Jen Psaki

"Ekzistojnë dy drejtime që mund të marrë Rusia në këtë pikë, që mund të marrë Presidenti Putin", tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. "Ai mund të marrë rrugën e diplomacisë. Janë edhe dy raunde të tjera bisedimesh për këtë javë. I perceptojmë si një paketë prej tre takimesh, që mendoj se është edhe pozicioni i palës tjetër. Ose, ekziston shtegu i përshkallëzimit. Kemi sigurisht shpresën se rruga drejt diplomacisë do të jetë drejtimi që ata do të zgjedhin".

Asnjëra nga palët nuk e përshkroi takimin si një dështim total, por as nuk ofruan ndonjë perspektivë për të lehtësuar ngërçin gjithnjë e më shqetësues për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, që Perëndimi e percepton si një kërcënim thelbësor ndaj sigurisë evropiane. Nuk pati as ndonjë tregues për ndonjë lëvizje nga pozicionet për sa i përket çështjeve ndoshta më pak urgjente që kanë rënduar marrëdhënien SHBA - Rusi.

Zv.Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman dhe Zv.Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov
Zv.Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman dhe Zv.Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov

Moska këmbëngul për garanci se do të ndalet zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, dhe madje se edhe do të tërhiqen dislokimet ushtarake të NATO-s nga Evropa Lindore, ndërkohë që Uashingtoni i kundërshton me vendosmëri këto kërkesa si të parealizueshme.

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman, që kryeson delegacionin amerikan tha pas bisedimeve që zgjatën tetë orë se Shtetet e Bashkuara i kishin hedhur poshtë me vendosmëri propozimet ruse të sigurisë gjatë bisedimeve me homologun e saj rus në Gjenevë dhe shtoi se Uashingtoni nuk do të lejojë askënd të bllokojë politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

Ajo shtoi se diskutimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta dhe se Shtetet e Bashkuara janë të hapur për t'u takuar sërish së shpejti për të diskutuar çështjet SHBA-Rusi në mënyrë më të detajuar.

Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe ka kërkuar që NATO-ja të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit të ish-republikës sovjetike dhe të mos zgjerohet më tej në territorin që Moska e sheh si sferë të saj të influencës.

"Për fat të keq kemi dallime të mëdha në qëndrimet tona parimore në këtë drejtim. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pikëpamje të kundërta për atë që duhet bërë për disa çështje”, u tha gazetarëve Zëvendës Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.

Uashingtoni dhe Kievi thonë se trupat ruse në kufi me Ukrainën mund të jenë duke u përgatitur për një ndërhyrje të re, tetë vjet pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë.

Rusia mohon të ketë plane për pushtimi dhe tha se po i përgjigjet asaj që ajo e konsideron sjellje agresive dhe provokuese nga aleanca ushtarake e NATO-s dhe Ukraina, e cila ka prirje drejt Perëndimit dhe aspiron të anëtarësohet në NATO.

Zoti Ryabkov përsëriti kërkesat për ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe që aleanca t’i jape fund aktivitetit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që u anëtarësuar ëas viteve 1997.

"Ne theksojmë se për ne është absolutisht e domosdoshme të sigurohemi që Ukraina nuk do të bëhet, kurrrë, kurrë anëtare e NATO-s”, tha ai duke shtuar se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare të Rusisë.

"Ne nuk do të lejojmë askënd që të bllokojë politkën e NATO-s për dyer të hapyra, që ka qenë gjithmonë në themel të aleancës së NATO-s”, tha zonja Sherman.

Zv. Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman
Zv. Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman

"Ne nuk do të heqim dorë nga bashkëpunimi dypalësh me shtete sovrane që duan të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk do të marrim vendime për Ukrainën pa Ukrainën, për Evropën pa Evropën, ose për NATO-n pa NATO-n”, tha ajo.

Grummbullimi i trupave pranë Ukrainës i ka përshkallëzuar tensionet SHBA-Rusi në nivelet më të larta që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Zonja Sherman, numri 2 i Departamentit të Shtetit, do të takohet me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Bruksel përpara një takimi NATO-Rusi të mërkurën dhe një takimi të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë në Vjenë të enjten.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të bisedojnë përsëri në fund të javës për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG