Lidhje

Cilat janë synimet gjeostrategjike të Rusisë? 


FILE - Russian President Vladimir Putin, center, and Russian Defense Minister Sergei Shoigu, left, attend the main stage of the Kavkaz-2020 strategic command-and-staff exercises at the Kapustin Yar training ground, Russia, Sept. 25, 2020.
FILE - Russian President Vladimir Putin, center, and Russian Defense Minister Sergei Shoigu, left, attend the main stage of the Kavkaz-2020 strategic command-and-staff exercises at the Kapustin Yar training ground, Russia, Sept. 25, 2020.

Hartuesit e politikave perëndimore mbeten po aq të paqartë për synimet gjeopolitike të Rusisë sot, sa ç’ishin homologët e tyre në prag të Luftës së Ftohtë dyzet vjet më parë.

A po përgatitet Kremlini të ndërmarrë një ndërhyrje në territorin e fqinjit të tij Ukrainës, e cila gjithnjë e më shumë e sheh veten si pjesë e Perëndimit, nëse refuzohen garancitë gjithëpërfshirëse të sigurisë që ka kërkuar Rusia?

Apo është grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës një mënyrë për të treguar forcë, një manovër e Presidentit Vladimir Putin për të siguruar sa më shumë lëshime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë në tryezën e bisedimeve?

Këto pikëpyetje mund të fillojnë të marrin përgjigje duke filluar nga e hëna që shënoi fillimin e bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Gjenevë, ku do të diskutohen kërkesat e Kremlinit që NATO-ja të tërheqë pranitë ushtarake nga vendet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, si edhe mënyrat për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Edhe rreth tetë dekada më parë, hartuesit e politikave perëndimorë po përpiqeshin të deshifronin synimet e diktatorit të atëhershëm komunist sovjetik Josif Stalin, trashëgiminë e të cilit presidenti Putin është përpjekur ta rehabilitojë në Rusi.

Guy Liddell, një zyrtar i lartë i zbulimit britanik, shkruante në ditarin e tij në shkurt 1948 se sa e vështirë ishte të kuptohej nëse Rusia Sovjetike po planifikonte ndonjë agresion ushtarak.

Megjithëse Kremlini kishte këmbëngulur se synimet e tij ishin paqësore dhe tha se manovrat e Moskës ishin "për mbrojtje strategjike", zoti Liddell komentonte në ditarin e tij se veprimet ruse – që nga përgatitjet ushtarake tek fushatat propagandistike, nga ndërhyrjet tek "përpjekjet për përçarje" – dukeshin si një "politikë e planifikuar për agresion” dhe fuqitë perëndimore nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përgatiteshin për skenarin më të keqen dhe të qëndronin vigjilentë.

Vetëm dy javë më pas komunistët e drejtuar nga Kremlini morën kontrollin përfundimtar të qeverisë së Çekosllovakisë. Përmbysja e e demokracisë së fundit që kishte mbetur në Evropën Lindore, kompletoi ndarjen e Evropës, duke ngrirë dy gjysmat e kontinentit në një Luftë të Ftohtë prej katër dekadash.

Hartuesit e politikave janë të ndarë tani në lidhje me synimet e Presidentit Putini me grumbullimin e më shumë se 100,000 trupave në kufijtë e Ukrainës dhe lidhur me pyetjen nëse konsolidimi ushtarak është e nxitur nga ndonjë kapriço apo ndonjë ndjenjë pasigurie, pavarësisht nëse është e justifikuar ose jo.

Evropa

Disa diplomatë perëndimorë druhen se qëllimi i presidentit rus mund të jetë që bisedimet të dështojnë, në mënyrë që ta përdorë si pretekst për të depërtuar më thellë në Ukrainë, një përsëritje e skenarit të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe pushtoi një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore.

Ata gjithashtu po peshojnë se çfarë opsionesh kanë në dispozicion për ta penguar zotin Putin të bëjë ndonjë lëvizje dramatike ushtarake në Ukrainë.

Dhe megjithëse të gjithë anëtarët e NATO-s, dhe disa vende evropiane që nuk janë anëtare të saj, i janë bashkuar Shteteve të Bashkuara duke paralajmëruar për pasoja të rënda dhe sanksione ekonomike ndëshkuese në rast të një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë, qëndrimet e aleatëve kanë disa dallime të rëndësishme në tonin e tyre. Disa udhëheqës perëndimorë janë shprehur më ashpër se të tjerët.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili ka kërkuar një takim me udhëheqësin rus Putin më vonë këtë muaj, ka folur për rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën dhe për përpjekje për "një fillim të ri", megjithëse ai gjithashtu paralajmëroi për pasoja të rënda në rast të një sulmi tjetër rus në Ukrainë.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, ka qenë shumë më i ashpër s në komentet e tij publike, duke përsëritur të drejtën e vendit të tij për t'u anëtarësuar në NATO-n, nëse finlandezët vendosin për një gjë të tillë, dhe duke hedhur poshtë kategorikisht kërkesat ruse që NATO-ja të mos pranojë anëtarë të rinj.

Suedia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me aleancën, po reagon gjithashtu ashpër ndaj kërkesave të Moskës për moszgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Ministrja e jashtme, Ann Linde, ka nënvizuar se Moska nuk ka të drejtë të diktojë se cilat vende mund të bashkohen me aleancën ushtarake transatlantike.

"Nuk duhet të varet nga Rusia nëse ne anëtarësohemi ose jo në NATO," tha ajo të premten.

Zyrtarët e NATO-s i kanë hedhur poshtë kërkesat e sigurisë nga ana e Rusisë duke thënë se është e pamundur të plotësohen. Kërkesat përfshijnë ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe tërheqjen e çdo pranie ushtarake të aleancës në shtatë nga tetë shtetet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, të cilat i janë bashkuar aleancës perëndimore që nga viti 1999. Kremlini ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e armëve taktike bërthamore amerikane nga Evropa, por nuk ka ofruar asnjë kufizim reciprok në arsenalin e saj të raketave taktike.

Bisedimet dypalëshe amerikano-ruse në Gjenevë, të cilat po udhëhiqen nga nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për palën amerikane do të pasohen këtë javë nga negociatat e këshillit Rusi-NATO në Bruksel dhe një takim në Vjenë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku përfshihen Rusia, Ukraina dhe të gjitha vendet e NATO-s.

Ato janë pjesë e një jave tdiplomacie intensive të një niveli të tillë që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë. Presidenti Putin duket i vendosur t’i kthejë bisedimet në një diskutim të të gjithë arkitekturës së sigurisë të Evropës, ndërsa fuqitë perëndimore duket se duan t’i kufizojnë diskutimet.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar kundër "diskutimeve të pafundme". Presidenti Putin, ka thënë gjithashtu se ai nuk do që bisedimet të zvarriten për dekada me radhë.

Disa diplomatë perëndimorë dyshojnë se Putini po përpiqet të nxitojë, sepse sfidat e tij mund të dobësojnë vendosmërinë perëndimore dhe të dëmtojnë unitetin e tij.

Por Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën për CNN se qëllimi i Putinit mund të jetë "të rikthejë në sferën e ndikimit rus vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik".

Ai shtoi: "Ne nuk mund t’i rikthehemi një bote me sfera ndikimi. Ishte një formulë për destabilitet, për konflikt, një formulë që shkaktoi luftra botërore."

Andrew Marshall i Këshillit Atlantik, thotë se zhvillimet gjeopolitike mund të sjellin ndryshime historike.

"Rezultati i kësaj mosmarrëveshjeje, mund të rishkruajë kushtet e sigurisë në kontinentin evropian për një brez të tërë - ashtu siç bënë vendimet e viteve 1990 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë," shprehet ai në një analizë të fundit.

Taktika perëndimore duket se është përpjekja për të tërhequr Putinin nga synimet e tij dhe për ta bindur të diskutojë për marrëveshje sigurie me interes për të dyja palët.

Analistë të tjerë besojnë se Putini është i fokusuar tek Ukraina dhe kthimi i saj në orbitën ruse dhe se kërkesat më të gjera mbi arkitekturën e sigurisë evropiane janë një rast i asaj që ish-diplomati amerikan Henry Kissinger dikur e përshkroi si tendencë ruse për të "shkelmuar të gjitha dyert për të parë se cilat prej tyre rrëzohen”.

Analisti rus Vladimir Frolov beson se Putini është i vendosur të garantojë që Ukraina të pranojë “përcaktimin e marrëdhënieve të saj me Rusinë sipas kushteve të Rusisë."

Por ai mendon që edhe përparime më modeste në bisedime janë të pamundura.

"Përshkallëzimi mbetet i mundshëm, për shkak të kërkesave jorealiste që paraqiten me afate artificialisht të kufizuara," thotë ai.

XS
SM
MD
LG