Lidhje

Komisioni i 6 janarit kërkon dëshmi nga gazetari i Fox News-it Sean Hannity


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar bëri një kërkesë të martën për të marrë në pyetje gazetarin e njohur të rrjetit televiziv Fox News, Sean Hannity, një nga aleatët më të ngushtë të ish-Presidentit Donald Trump. Ky zhvillim vjen ndërsa komisioni vazhdon të zgjerojë sferën e tij të veprimit.

Në një letër drejtuar zotit Hannity, kryetari i komisionit, demokrati Bennie Thompson, tha se ligjvënësit kërkojnë ta pyesin atë në lidhje me komunikimet që ka patur me ish-Presidentin Donald Trump, ish-Shefin e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows e të tjerë persona të rrethit të ngushtë të zotit Trump, disa ditë para sulmit.

Një zëdhënës i Fox News nuk pranoi të komentonte rreth kërkesës. Avokati i zotit Hannity, Jay Sekulow, i tha agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ të martën në mbrëmje se ata po shqyrtojnë kërkesën dhe "do të japin përgjigjen e duhur".

Në letër thuhet se komisioni ka përgjegjësinë për të hetuar dhjetëra mesazhe që ka siguruar, të dërguara nga 31 dhjetori 2020 deri më 20 janar të vitit 2021 duke u përqendruar tek komunikimet mes zotit Hannity me ish-Presidentit Trump dhe zotin Meadows në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe përpjekjet e dështuara të zotit Trump për t'i përmbysur ato.

Në një mesazh që zoti Hannity i dërgonte zotit Meadows në dhjetor të 2020 thuhej ndër të tjera: "Ne nuk mund të humbasim gjithë zyrën e këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë. Nuk duket se 6 janari po ndodh ashtu siç i kanë thënë. Pas datës 6, ai duhet të njoftojë se do të udhëheqë përpjekjet mbarëkombëtare për të reformuar integritetin e votës”.

Në një tjetër mesazh të përmendur në letër, të dërguar para sulmit, zoti Hannity shkruante se ishte "shumë i shqetësuar për 48 orët e ardhshme" dhe në një tjetër drejtuar zotit Meadows ai shkruante: "Trysni Pence-it. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë do të largohet”.

Në letër thuhet gjithashtu se nisur nga mesazhet e tjera duket se zoti Hannity mund të ketë biseduar drejtpërdrejt me zotin Trump më 5 janar në lidhje me planifikimet për ditën e mëpasme.

Zoti Hannity ka kritikuar më parë dhunën që ndodhi më 6 janar. Po ai gjithashtu ka qenë një kritik i ashpër ndaj komisionit dhe punës së tij. Gjatë komenteve të tij të bëra më 13 dhjetor gjatë një emisioni televiziv, pasi u zbuluan mesazhet ai u shpreh: “Ne u kemi thënë se kjo është humbje e kohës dhe parave tuaja. Ata kanë një rezultat të paracaktuar”.

Ai kritikoi edhe ligjvënësen republikane të komisionit Liz Cheney, e cila publikoi mesazhet e tij, dhe tha se besimi tek privatësia në këtë vend mesa duket ka rënë.

Kjo është kërkesa e parë që komisioni i drejton një përfaqësuesi të medias dhe hap një tjetër portë për hetimin që po zgjeron fushën e tij të veprimit duke kërkuar dëshmi nga të gjithë ata persona që kanë qenë në kontakt me ish-presidentin dhe rrethin e tij të ngushtë në periudhën e sulmit.

XS
SM
MD
LG