Lidhje

Kompanitë e mediave sociale përballen me më shumë sfida gjatë zgjedhjeve


Sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar, u bë shkas që kompanitë amerikane të mediave sociale të reagojnë. Ato mbyllën llogaritë e Presidentit të atëhershëm Donald Trump. Por a janë Facebooku, Twitteri dhe YouTube më të përgatitur një vit më pas për të përballuar situata të ngjashme në Shtetet e Bashkuara apo në vende të tjera?

Kompanitë e mediave sociale përballen me më shumë sfida gjatë zgjedhjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Pothuajse një vit pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin, ish-presidentit vazhdon t’i ndalohet të përdorë Facebook-un, Twitter-in dhe YouTube-in, platformat dixhitale ku ai fliste drejtpërdrejt me miliona ndjekës.

"Nuk është një situatë e drejtë, është shumë e keqe për këtë vend dhe shumë e keqe për botën. Nëse mund të ma bëjnë mua, mund t'ia bëjnë kujtdo", tha në atë kohë presidenti Trump.

“6 janari ishte sigurisht një moment zgjimi për platformat e mediave sociale”, thotë Emerson Brooking me Këshillin e Atlantikut.

Trumpi u akuzua se i kishte përdorur platformat për të nxitur trazirat. Pezullimi i tij është një kujtesë e fortë e pushtetit që kanë kompanitë e mediave sociale ndaj udhëheqësve politikë që shkelin rregullat e tyre.

Por pavarësisht ndalimit, pas 6 janarit, kompanitë e mediave sociale u vunë në shënjestër nga kritikët të cilët thanë se pezullimi ishte shumë i vonuar, vite pas tolerimit të shkeljeve të rregullave të kompanive nga Trumpi.

Nga ana e tyre, kompanitë e teknologjisë kanë thënë se po punojnë vazhdimisht për t'i bërë shërbimet e tyre më të sigurta. Ish-drejtori ekzekutiv i Twitter-it tha në një seancë dëgjimore në Kongres se Twitteri mbante njëfarë përgjegjësie për shpërndarjen e dezinformatave që çuan në sulmin e 6 janarit, por vuri në dukje një prirje më të gjerë.

“Duhet të keni parasysh gjithashtu atmosferën e përgjithshme. Nuk ka të bëjë vetëm me platformat teknologjike që ne përdorim”, tha Jack Dorsey, ish drejtor ekzekutiv i Twitterit.

Ka pasur disa ndryshime. Twitteri miratoi një politikë që toleronte deri në pesë raste dezinformimin në lidhje me COVID-19. Facebooku tani zbaton rregulla moderimi të përmbajtjes për politikanët, grup që e kishte mbrojtur në të kaluarën. Por disa ekspertë i shohin ndryshimet si të vogla.

“Pavarësisht nëse ka patur ndryshime apo jo, si mendojnë këto kompani për produktet dhe algoritmet e tyre dhe modelet kryesore të biznesit? Kjo mendoj se pak ka ndryshuar”, thotë Katie Harbath, ish ekzekutiv i Facebookut.

Duke hedhur vështrimin në zgjedhjet e këtij viti, ekziston mundësia që mediat sociale mund të çojnë në më shumë trazira, thonë vëzhguesit.


“Me të vërtetë duhet të fillonin të planifikonin tani për të gjitha këto. Dhe nuk kam parë domosdoshmërisht atë që do të doja të shihja nga kompanitë rreth asaj që po bëjnë”, thotë Katie Harbath.

Disa kritikë theksojnë reklamat - mënyrën e kompanive për të fituar para dhe se si ato kanë krijuar algoritme që nxjerrin në pah përmbajtjet ekstreme që janë më tërheqëse.

“Shumë nga këto platforma kanë bërë ndryshime aty këtu. Por në fund të fundit, mbetet i njëjtë model i biznesit. …këto platforma janë krijuar në thelb për të përforcuar, përhapur temat më problematike në platformë, të tilla si gënjeshtrat zgjedhore apo dhuna racore”, thotë Jesse Lehrich me kompaninë Accountable Tech.

Informatorë të brendshëm të Facebook-ut treguan se si disa nga këto probleme janë të njohura për drejtuesit e kompanisë. Vitin e ardhshëm, ligjvënësit mund të përpiqen t'i detyrojnë kompanitë të bëjnë ndryshime më të mëdha në kontrollimin e përmbajtjeve të debatueshme dhe të jenë më transparentë për atë që po bëjnë.

XS
SM
MD
LG