Presidenti Joe Biden tha të hënën se do të shkojë në Kentaki të mërkurën për të parë nga afër dëmet nga tornadot shkatërruese të javës së kaluar që vranë të paktën 64 njerëz dhe shpërngulën mijëra të tjerë. Presidenti Biden njoftoi udhëtimin e ardhshëm pas një takimi me zyrtarë të sigurisë së vendit dhe të reagimit ndaj fatkeqësive për të diskutuar se çfarë mund të bëjë më shumë qeveria federale për të mbështetur ata që janë prekur nga fatkeqësia natyrore.
Biden tha se ishte i shqetësuar për peshën emocionale që katastrofa po u shkakton të gjithë të prekurve. Ai tha se administrata e tij po punon për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen emergjente në disa zona dhe u zotua për mbështetjen e plotë nga administrata e tij për rajonet e prekura. Qindra mijëra njerëz janë tani pa energji, apo ngrohje në fillim të muajve më të ftohtë të vitit.
Tornadot goditën disa shtete të amerikane, duke shkaktuar vdekjen e dhjetra njerëzve. Vetëm në Kentaki është njoftuar për 80 viktima. Zyrtarët presin që numri i viktimave të rritet, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
“Ne vërtet duam të sigurohemi që të gjejmë këdo që mund të jetë ende i bllokuar nën rrënoja në të gjitha këto shtete. Por më pas rimëkëmbja e këtyre zonave do të jetë një proces më i gjatë. Për momentin jemi të përqendruar në mënyrën se si do t'i ndihmojmë këto komunitete me nevojat e tyre për strehim të menjëhershëm dhe afatgjatë, si dhe nevojën për të ndihmuar rimëkëmbjen e plotë të komuniteteve dhe familjeve", thotë Deanne Criswell, administratore e Agjencisë federale për Emergjencat, FEMA.
Këto imazhe satelitore tregojnë pamjet nga shtetet Arkansa dhe Kentaki, para dhe pas valës së fuqishme të tornadove, që shkatërruan një numër qytetesh, duke hedhur mbetje në një largësi prej mbi 160 kilometrash. Disa nga të mbijetuarit, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar, janë vendosur në qendra emergjente strehimi për shkak të motit të ftohtë.
“Ne hapëm qendra strehimi me ngrohje. Ne fillim 13 prej tyre ishin të hapura. Vetëm gjashtë prej tyre janë ende të hapura, sepse njerëzit të komunitetit, shtëpitë e të cilëve nuk janë shkatërruar, po strehojnë ata që kanë humbur shtëpitë e tyre. Ne jemi njerëz të mirë që kujdesemi për njëri-tjetrin, për ata që sapo kanë kaluar një situatë të vështirë. Ne jemi të fortë dhe do t’i rindërtojmë zonat e goditura”, tha guvernatori i Kentakit, Andy Beshear.
Kentaki deri më tani është i vetmi shtet që ka kërkuar dhe po merr ndihmë emergjente nga administrata Biden. Administratorja e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, Deanne Criswell tha se agjencia ka dërguar rreth 100 punonjës atje, duke përfshirë ekipet urbane të kërkim-shpëtimit, por shtoi se sfida tjetër është transportimi i të mbijetuarve në qendra të sigurta strehimi.
“Moti i keq në këto muaj të ftohtë dimri, e vështirëson më tej gjendjen e krijuar nga pasojat e tornadove. Përparësi kryesore do të jetë strehimi i sigurt për njerëzit, që kanë mbetur pa shtëpi”, thotë ajo.
Gjashtë shtete u goditën nga një valë e stuhive të forta nga e premtja deri të shtunën. Njëri nga tornadot që goditi Kentakin, u shoqërua me erëra që arritën shpejtësinë prej 320 kilometrash në orë. Zonja Criswell thotë se një nga qëllimet e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave është edukimi i komuniteteve mbi rreziqet unike me të cilat ndeshen ato dhe projektet për të ndihmuar komunitetet në pakësimin e pasojave të katastrofave natyrore të ardhshme.