Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 jo vetëm që sollën një epokë të re të qeverisjes në Uashington, por gjithashtu rikthyen vëmendjen tek mënyra se si votojnë amerikanët. Viti 2021 u shoqërua me një numër debatesh mbi procesin demokratik në vend, përfshirë ato mbi manipulimin e votave.
Lufta e ashpër mbi reformën zgjedhore mbërriti në shkallët e ndërtesës së Kongresit këtë vit. Më shumë se pesëdhjetë ligjvënës demokratë të Teksasit u mblodhën në Kapitol pasi u larguan nga shteti i tyre për të parandaluar miratimin e një projektligji republikan, që ata thanë se kufizonte ashpër të drejtën e votimit për pakicat.
Që kur ish-presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli pa prova se zgjedhjet ishin manipuluar në dëm të tij, 19 shtete kanë miratuar 33 ligje me kufizime të reja mbi votimin. Në korrik, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dha një vendim kyç duke u dhënë shteteve kompetenca më të gjera për të vendosur kufizime në menaxhimin dhe numërimin e votave.
Aktivistët e mbrotjes së votës thonë se shumë shtete të tjera po përgatisin projektligje më kufizuese në përgjigje të ngjarjeve që pasuan zgjedhjet e vitit 2020.
“Në ciklin zgjedhor të vitit 2020, brenda Shteteve të Bashkuara, ne pamë pjesëmarrjen më të lartë të votuesve në më shumë se 100 vjet. Miliona votues hodhën votën e tyre me postë, një opsion që u zgjerua shumë për shkak të pandemisë. Por, si rezultat i pjesëmarrjes së lartë në zgjedhjet e vitit 2020, ne pamë gjithashtu një rritje të kufizimeve ndaj votuesve. Pra, pamë një reagim të shëmtuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara”, thotë Rebekah Caruthers nga Qendra për Zgjedhje të Drejta.
Demokratët e Senatit u përpoqën pa sukses të miratonin projektligje kundër këtyre kufizimeve, edhe pse administrata Biden u zotua të vazhdonte përpjekjet në këtë drejtim.
“Kjo ka të bëjë me të drejtën e popullit amerikan për të votuar pa pengesa. Bëhet fjalë për qasjen e tyre në të drejtën për të votuar në një mënyrë kuptimplote, sepse askush nuk po debaton mbi atë nëse të gjithë amerikanët kanë të drejtën e votës. Çështja këtu është qasja e tyre aktuale në procesin e votimit”, tha nënpresidentja Kamala Harris.
Por me një shumicë të vogël, demokratët nuk kishin asnjë shans për të siguruar 10 votat republikane të nevojshme në Senat për të miratuar legjislacionin. Republikanët duan që shtetet të mbështesin identifikimin më rigoroz të votuesve dhe masat e sigurisë së votimit.
“Këto masa kanë si synim ruajtjen e rendit dhe sigurinë për zgjedhjet, si edhe besimin në rezultatet e tyre”, thotë Mark Brnovic, prokuror i përgjithshëm i Arizonës.
Analistët konservatorë argumentojnë se zgjedhjet nuk duhet të rregullohen nga Uashingtoni.
“Shtetet janë përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve të tyre. ProjektligjiHR 1, të cilin demokratët po përpiqen ta miratojnë në Kongres, do të çonte në marrjen në kontroll nga qeveria federale të procesit të administrimit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Ka shumë ndryshime të tjera që në thelb eliminojnë protokollet bazë të sigurisë dhe masat që shtetet kanë vendosur në përpjekje për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor”, thotë Hans von Spankovsky nga Fondacioni Heritage.
Demokratët argumentojnë se reformat në lidhje me të drejtën e votimit që ata mbështesin do ta modernizonin sistemin zgjedhor amerikan dhe do të lejonin qeverinë federale të mbronte të drejtat e votimit për pakicat.
“Nëse bëni një anketë për këtë çështje me njerëzit në mbarë vendin, republikanët, të pavarurit dhe demokratët, ata të gjithë duan të marrin masa kundër përkufizimit të zonave elektorale bazuar në partinë që kontrollon legjislaturën. Ata të gjithë duan të marrin para në mënyrë të pakontrolluar, që do t’u lejonte miliarderëve dhe korporatave të blinin zgjedhje. Ata të gjithë duan të mbrojnë kutitë e votimit, zemrën e republikës sonë”, thotë senatori demokrat Jeff Merkley.
Udhëheqësit e të drejtave civile organizuan një marshim me mijëra njerëz në kryeqytetin e vendit në gusht për të kërkuar miratimin e këtyre reformave, dhe në nëntor, demokratët u përpoqën dhe dështuan përsëri të siguronin votat e mjaftueshme për këtë. Por me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2022 për Kongresin, duket se përpjekjet për miratimin e këtyre reformave janë ndërprerë.
Facebook Forum