Lidhje

Yellen: SHBA nuk po e humbet kontrollin mbi inflacionin


Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk po humbasin kontrollin mbi inflacionin dhe se ajo priste që nivelet e tij të ktheheshin në normalitet deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN zonja Yellen tha se fondet nga ana e administratës së Presidentit Joe Biden, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së brendshme si dhe paketës “Të ndërtojmë një të ardhme më të mirë” (Build Back Better), do të nisin të gjejnë zbatim gjatë 10 viteve të ardhshme, por ajo nuk tha se çfarë ndikimi mund të kishin ato potecialisht tek inflacioni.

"Unë nuk mendoj se jemi në kushtet kur mund ta humbasim kontrollin ndaj inflacionit", tha zonja Yellen.

"Në baza 12-mujore, norma e inflacionit do të mbetet e lartë vitin e ardhshëm për shkak të asaj që ka ndodhur tashmë. Por unë pres përmirësim nga mesi i vitit deri në fund të vitit të ardhshëm", tha zonja Yellen.

Problemet me zinxhirin e furnizimit kanë dëmtuar Shtetet e Bashkuara dhe shume vende të tjera, në kushtet kur rihapja e ekonomisë ka nxitur një rritje të kërkesës.

"Ndërsa bëjmë përparim të mëtejshëm në raport me pandeminë, unë pres që këto probleme të zgjidhen”, tha ajo.

Banka Qendrore Amerikane ka premtuar se do të mbajë normën e interesit në nivelin aktuale, pranë zeros, derisa ekonomia të kthehet tek rritmet e plota të punësimit dhe inflacioni të ketë arritur objektivin prej 2% të Bankës Qendrore.

XS
SM
MD
LG