Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha të martën në Prishtinë se procesi i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, dëshmon shkallën e lartë të zhvillimit të demokracisë në Kosovë.
Zonja Cramon i bëri këto komente gjatë paraqitjes së gjetjeve paraprake të misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve lokale na ka ndihmuar që ta kuptojmë se si është duke u zhvilluar dhe thelluar demokracia e Kosovës dhe më lejoni të jem e qartë në këtë pikë, këto zgjedhje kanë treguar e dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë, me një debat të vërtetë ndërmjet kandidatëve të partive politike që propozojnë politika alternative. Është një vetëdijsim gjithnjë e më i madh në këtë vend se diversiteti politik në nivel komunal është burim i forcës së demokracisë në Kosovë”, tha zonja Cramon.
Por, shkallë e njëjtë e demokracisë nuk u dëshmua edhe në komunat me shumicë serbe tha ajo, posaçërisht për shkak të konkurrencës së kufizuar politike.
“Një shqetësim që është ngritur nga misioni vëzhgues në 2017-ën dhe ai në 2018-ën dhe të cilin dua ta ngris sot përsëri, është ngushtimi i hapësirës politike për serbët e Kosovës. Në disa komuna kemi parë një prani të madhe të Listës Serbe që ka kufizuar konkurrencën ndërmjet partive politike. Disa bashkëbisedues kanë raportuar edhe trysni mbi votuesit. Mungesa e pluralizmit politik në komunat e veriut të Kosovës nuk është e shëndoshë për demokracinë dhe nuk mund të shpërfillet e injorohet”, tha ajo.
Shefi i misionit vëzhgues, Lukas Mandl, tha se procesi zgjedhor ishte përgjithësisht i organizuar mirë, megjithatë, disa mangësi ligjore vazhdojnë të mbesin të patrajtuara.
“Kuadri ligjor ka ofruar një bazë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, por disa mangësi serioze dhe disa dispozita kontradiktore për sa i përket regjistrimit të votuesve, rregullave të fushatave zgjedhore, të votimit nga jashtë vendit dhe të zgjidhjes së kontesteve zgjedhore ende nuk janë trajtuar si duhet dhe duhet të trajtohen. Për më tepër kuadri ligjor për regjistrimin e kandidatëve është i paqartë dhe janë disa dispozita kundërthënëse dhe disa kufizime jo proporcionale”, tha zoti Mandl.
Pjesë e këtij misioni janë mbi 100 vëzhgues nga Bashkimit Evropian, të cilët tash për tash po mbikëqyrin procesin e numërimit të votave, ndërsa pritet që ky mision të dalë me një raport përfundimtar të hollësishëm në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Në Kosovë ka përfunduar numërimi i votave të rregullta të hedhura në zgjedhjet e së dielës për pushtetin komunal, ndërsa po vazhdon numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se ky proces pritet të përfundoj gjatë kësaj jave dhe pas rinumërimeve eventuale mund të shpallen rezultatet.
“Se sa do të jetë kjo periudhë nuk mund ta themi me saktësi sepse varemi nga dinamika e punës që zhvillohet këtu. Megjithatë në bazë të disa statistikave që kam nxjerrë sa për orientim nga proceset e kaluara zgjedhore lokale, në vitin 2013 Komisionit i janë dashur 11 ditë nga dita e zgjedhjeve për të shpallur rezultatet ndërkaq edhe gjashtë të tjera për të çertifikuar rezultatin pra 17 në total. Ndërsa në vitin 2017 për shpallje të rezultateve janë dashur 9 ditë dhe tri të tjera për ta çertifikuar atë”, tha ai.
Sipas rezultateve paraprake 21 nga 38 komunat e vendit shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.
Konkurrenca më e fortë në raundin e dytë pritet në komunat e mëdha të vendit posaçërisht në kryeqytet ku Lëvizja Vetëvendosje do të përballet në raundin e dytë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve duhet të mbahet 4 javë pas ditës kur është zhvilluar raundi i parë.