Ndërsa më shumë rregulla të vaksinimit të detyruar po futen në efekt, numri i rasteve të infektimeve në shkallë kombëtare vazhdon të ulet. Por kundërshtimi ndaj vaksinimit vazhdon të jetë problem.
Në Çikago po ashpërsohet beteja gjyqësore mes organeve drejtuese të qytetit dhe sindikatës së policisë, me rreth gjysmën e këtyre të fundit të pavaksinuar. Lori Lightfoot është kryetare e bashkisë së Çikagos.
“Kemi vënë re shumë dezinformata me sindikatën e policisë dhe kryesisht me udhëheqjen e saj. Gjysëm të vërteta dhe sinqerisht gënjeshtra të pasta për të nxitur kundërshtime.”
Qyteti ka njoftuar se atyre që nuk vaksinohen do t’u ndërpritet rroga. Sindikata e policisë ka ngritur padi kundër urdhërit të kryebashkiakes.
Në qytetin Seattle departamenti i policisë po bën përgatitje para afatit të vaksinimit të detyruar të hënën, ku të gjithë policët e vaksinuar duhet të provojnë se janë imunizuar, pasi ka shqetësime se departamenti do të humbasë qindra policë që nuk duan të vaksinohen.
Në Everett të shtetit Uashington, rreth 200 punonjës të kompanisë Boeing protestuan kundër urdhërit për vaksinim të detyruar i cili futet në efekt me 8 dhjetor.
Ndërkohë në San Françsiko janë zbutur rregullat për mbajtjen e maskës. Në disa mjedise nuk kërkohet mbajtja e tyre nëse të gjithë janë të vaksinuar plotësisht dhe nuk ka më shumë se 100 njerëz.
“Është ndjesi e mirë që qyteti mori këtë vendim që ne të heqim maskat dhe të komunikojmë me kolegët tanë si më parë”, thotë një punonjëse.
Ndërkohë një panel i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të shqyrtojë rekomandimet për doza përforcuese të vaksinave Moderna dhe Johnson and Johnson.
Facebook Forum