Një ish-analiste e të dhënave e Facebook-ut po dëshmon sot përpara Kongresit rreth dokumenteve të rrjedhura se kompania ishte në dijeni të dëmeve të mundshme që u shkaktonte Istragrami disa adoleshentëve. Komentet e ish-menaxheres Frances Haugen rreth kësaj çështjeje si dhe akuzat e saj për pandershmëri nga ana e kompanisë së medias sociale në përpjekjet kundër gjuhës së urrejtjes dhe disinformatave, kanë krijuar një debat të gjerë publik. Ajo po paraqet dëshminë e saj para nënkomisionit të Senatit për Tregtinë për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Zonja Haugen i ka mbështetur akuzat e saj tek dhjetëra mijëra faqe dokumentesh të brendshme kërkimore, që ajo i ka kopjuar fshehurazi, para se të largohej nga puna në Njësinë për Integritetit Qytetar brenda Facebook-ut. Ajo ka paraqitur gjithashtu një ankesë pranë autoriteteve federale duke pretenduar se kërkimet e vetë Facebook-ut tregojnë se ai e përforcon gjuhën e urrejtjes, disinformatat dhe trazirat politike, një gjë për të cilën kompania e mohon të ketë informacion.
Pasi njoftimet e fundit në “The Wall Street Journal”, bazuar në dokumente që zonja Haugen ia kishte dhënë vetë gazetës, u bënë shkak për nxitjen e një indinjate publike, zonja Haugen zbuloi identitetin e saj në një intervistë për rrjetin televiziv CBS të transmetuar mbrëmjen e së dielës. Ajo këmbënguli se "Facebook-u në mënyrë të vazhduar, ka treguar se zgjedh përfitimet mbi sigurinë".
Ish-punonjësja që po sfidon gjigantin e medias sociale, me 2.8 miliardë përdorues në të gjithë botën dhe gati 1 trilion dollarë vlerë tregu është një eksperte 37-vjeçare, analiste e të dhënave nga Ajoua, me diplomë në inxhinieri kompjuterike dhe një master në biznes nga universiteti Harvard. Ajo ka punuar për 15 vjet për kompani si Google dhe Pinterest, përpara se të rekrutohej nga Facebook në 2019.
Nënkomisioni po shqyrton përdorimin e informacionit që analistët e vetë kompanisë i kanë dhënë Facebook-ut lidhur me atë se Instagrami mund të krijojë dëm tek disa nga përdoruesit e tij të vegjël në moshë, veçanërisht tek vajzat. Të dhëna që kompania i ka minimizuar publikisht. Të dhënat e rrjedhura nga zonja Haugen tregonin se tek ata adoleshentë, më të përkushtuar ndaj platformës popullore të shpërndarjes së fotografive, presioni i bashkëmoshatarëve, i krijuar nga Instagrami çon në probleme të shëndetit mendor dhe imazhit të trupit, dhe në disa raste, në çrregullime të ngrënies dhe mendime per vetëvrasje.
Një studim i brendshëm citonte se 13.5% e vajzave adoleshente pranonin se Instagrami i përkeqësonte mendimet e tyre për vetëvrasje dhe 17% e vajzave adoleshente pranonin se ai përkeqëson çrregullimet e të ngrënit.
"Ajo që është tejet tragjike dhe që vjen nga kërkimet e vetë Facebook-ut, është se këto vajza të reja që fillojnë “të konsumojnë” këto lloj përmbajtjesh që nxisin çrregullimeve të të ngrënit, bëhen gjithnjë e më shumë depresive", tha zonja Haugen gjatë intervistës televizive. "Dhe në fakt i bën ato ta përdorin edhe më shumë aplikacionin. Dhe kështu, ato përfundojnë në këtë cikël ku urrejnë trupin e tyre gjithnjë e më shumë".
Me shpërthimin e debateve mbi këtë çështje Facebook-u pezulloi punën e tij mbi një variant për fëmijë të Instagramit, për të cilin kompania thotë se është menduar kryesisht për adoleshentë të moshës 10 deri në 12 vjeç.