Numri i vdekjeve në SHBA nga COVID-19 ka arritur në 700,000, një shifër e zymtë ndërsa vendi përballet me një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti Delta dhe refuzimi i miliona amerikanëve për t'u vaksinuar.
100,000 vdekjet e fundit u regjistruan vetëm në 3 muaj e gjysëm dhe ndodhën në një kohë kur vaksinat ishin në dispozicion për cilindo mbi moshën 12 vjeç që i dëshironte ato.
Kjo është shumë zhgënjyese për mjekët, zyrtarët e shëndetit publik dhe publikun amerikan, sepse vaksinimet parandalojnë në pjesën më të madhe vdekjet, shtrimet në spital dhe sëmundjet e rënda.
Florida ka pësuar deri tani numrin më të madh të vdekjeve nga çdo shtet gjatë kësaj periudhe, me 17,000 banorë të saj që kanë humbur jetën që nga mesi i qershorit. Teksasi ishte i dyti me 13,000 vdekje. Të dy shtetet përbëjnë 15% të popullsisë së vendit, por kanë pasur më shumë se 30% të vdekjeve në shkallë vendi që pasi numri i vdekjeve kapërceu shifrën 600,000.
Dr. David Dowdy, një epidemiolog i sëmundjeve infektive në Fakultetin e Shëndetit Publik Bloomberg të Universitetit Johns Hopkins, i cili ka analizuar të dhënat publike të shteteve, tha se është e sigurt se të paktën 70,000 nga 100,000 vdekjet e fundit ishin mes të pavaksinuarve. Dhe nga ata të vaksinuar që vdiqën me infeksione të rënda, shumica e morën virusin nga një person i pavaksinuar, tha ai.
"Nëse do të kishim qenë më efektivë në vaksinim, atëherë mendoj se mund të themi se mund të kishim parandaluar 90% të atyre vdekjeve," që nga mesi i qershorit, tha Dr. Dowdy.
Pothuajse 65% e amerikanëve kanë bërë të paktën një dozë vaksine, ndërsa rreth 56% janë plotësisht të vaksinuar, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Por miliona njerëz ose refuzojnë ose nuk janë ende të bindur për shkak të frikës, disinformimeve dhe bindjeve politike. Punonjësit e kujdesit shëndetësor raportojnë se janë kërcënuar nga pacientë dhe anëtarët e komunitetit që nuk besojnë se COVID-19 është e vërtetë.
Facebook Forum