Përpjekjes së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të tërhequr shtetasit e tyre dhe ndihmësit afganë në aeroportin e kontrolluar nga Shtetet e Bashkuara në Kabul dhe jashtë Afganistanit mund të jetë duke i mbaruar koha.
Vetëm më shumë se një javë deri në afatin e 31 gushtit të Presidentit amerikan Joe Biden për tërheqjen ushtarake nga Afganistani, dhjetëra mijëra qytetarë perëndimorë dhe afganë që mbështetën përpjekjet amerikane, janë zhvendosur drejt Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai me shpresën se do të kalojnë përmes portave dhe drejt sigurisë që ofrojnë aeroplanët që largohen nga vendi.
Megjithatë, shumë afganë kanë thënë se ka qenë e vështirë, nëse jo e pamundur, të kalohen pikat e kontrollit të talebanëve që rrethojnë perimetrin e aeroportit. Dhe zyrtarët talebanë duket se nuk duan t'i japin Shteteve të Bashkuara shumë hapësirë, duke e quajtur afatin e ardhshëm një "vijë të kuqe".
"Ne jemi në bisedime me talebanët çdo ditë përmes kanaleve politike dhe të sigurisë" në lidhje me "çdo aspekt të asaj që po ndodh në Kabul tani", u tha gazetarëve të hënën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Presidenti Biden "po e merr këtë situatë hap pas hapi dhe do të marrë vendime ndërsa gjërat zhvillohen", shtoi zoti Sullivan, duke mbrojtur menaxhimin e Shtëpisë së Bardhë të tërheqjes, e cila shkaktoi që shumica e forcave afgane të sigurisë të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të shkrihen pasi talebanët deklaruan se kanë marrë kontrollin e vendit.
"Jemi duke i tejkaluar numrat e personave që evakuojmë", tha zoti Sullivan.
Kritikat nga ligjvënësit amerikanë, ish -zyrtarët ushtarakë dhe madje edhe disa aleatë të Amerikës kanë filluar që kur forcat talebane hynë në kryeqytetin afgan më 15 gusht. Por, pas një fillimi të ngadalshëm të evakuimit, përpjekjet për të larguar njerëzit nga vendi janë shtuar.
Ushtria amerikane njoftoi të hënën për ditën me numrin më të lartë të evakuimeve nga Afganistani, por dhuna vdekjeprurëse që ka bllokuar shumë persona të dëshpëruar për të evakuuar, që të hyjnë në aeroportin e Kabulit vazhdoi dhe talebanët sinjalizuan se së shpejti mund të kërkojnë të ndërpresin evakuimin.
Gjatë 36 orëve të fundit, mbi 27 mijë persona janë evakuar në rrugë ajrore. 90 fluturime ushtarake dhe civile transportuan rreth 16 mijë persona nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët gjatë 24 orëve që përfunduan të hënën herët në mëngjes, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Shumica, rreth 17 mijë, u transportuan nga aeroplanë ushtarakë amerikanë. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se ritmi më i shpejtë i evakuimit ishte pjesërisht për shkak të koordinimit me komandantët talebanë për marrjen e evakuuarve në aeroport.
"Deri tani, dhe me tej duhet koordinim dhe shmangie e vazhdueshme konflikti me talebanët," tha zoti Kirby. "Kemi parë se kjo metodë ka funksionuar mirë përsa i takon qasjes dhe fluksit të njerëzve, si dhe zvogëlimit të përmasave të turmave jashtë aeroportit."
Pas më shumë se një jave evakuime të shoqëruara me pengesa të mëdha, përfshirë faktit që forcat talebane dhe turmat dërrmuese po e bëjnë afrimin në aeroport të vështirë dhe të rrezikshëm, numri i njerëzve që u nisën i arriti dhe e tejkaloi për here të parë parashikimet e Shteteve të Bashkuara. Shifra e të evakuuarve ishte më shumë se dyfishi i 3,900 të atyre që u larguan gjatë 24 orëve të mëparshme me avionë ushtarakë amerikanë.
Pentagoni tha se ka shtuar një bazë të katërt ushtarake amerikane, në Nju Xhersi përveç atyre në Virxhinia, Teksas dhe Uiskonsin - që janë përgatitur për të strehuar përkohësisht afganët që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Gjeneral Majori Hank Williams, zëvendës drejtor i Shtabit të Përbashkët për operacionet rajonale, u tha gazetarëve se tani janë rreth 1,200 afganë në ato baza ushtarake. Të katër bazat së bashku janë në gjendje të strehojnë deri në 25,000 të evakuuar, tha zoti Kirby.
Presidenti Joe Biden tha të dielën se nuk do ta përjashtonte zgjatjen e evakuimit përtej 31 gushtit, datë që ai kishte caktuar për përfundimin e tërheqjes së trupave dhe përfundimin zyrtarisht të rolit ushtarak amerikan gati 20-vjeçar në Afganistan.
Ndërkohë kryeministri britanik Boris Johnson planifikon t'i bëjë presion zotit Biden për një shtyrje të kësaj date për të nxjerrë nga vendi numrin maksimal të të huajve dhe aleatëve afganë të mundshëm. Presidenti Biden do të përballet me aleatët e G-7 në një takim virtual të nivelit të lartë të martën lidhur me Afganistanin.
Por zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen, në një intervistë për Sky News, tha se 31 gushti është një "vijë e kuqe" që SHBA nuk duhet të kalojë dhe se zgjatja e pranisë amerikane do të "provokonte një reagim".
“Presidenti Biden njoftoi këtë marrëveshje që deri më 31 gusht, ata do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake. Pra, nëse zgjaten, kjo do të thotë se ata po zgjerojnë pushtimin. Unë mendoj se kjo do të krijojë mosbesim mes nesh. Nëse ata synojnë të vazhdojnë pushtimin, kështu që do të provokojë një reagim”, theksoi ai.
Shaheen gjithashtu mohoi se afganët po përpiqeshin të largoheshin nga vendi për shkak të frikës nga talebanët, duke thënë se ata që donin të largoheshin e bënin këtë për shkak të ekonomisë. Sipas tij kushdo që kishte thënë se ishte i frikësuar nga talebanët e ka ekzagjeruar, vetëm me qëllimin për të jetuar në vendet perëndimore.
Që kur talebanët pushtuan kryeqytetin më 15 gusht, SHBA ka kryer evakuimin në koordinim me talebanët, të cilët kanë ndaluar sulmet në vitin 2020 në bazë të një marrëveshje për tërheqje me administratën e ish-presidentitTrump.
Paralajmërimi i së hënës sinjalizoi se talebanët mund të këmbëngulin në mbylljen e transportit ajror nga aeroporti i Kabulit në pak më shumë se një javë. Ligjvënësit, organizatat e refugjatëve dhe të veteranëve dhe aleatët amerikanë kanë thënë se ndërprerja e evakuimit mund të pengojë afganët dhe të huajt e panumërt që ende shpresojnë të largohen.
Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë të dielën, një javë pasi talebanët kompletuan fitoren e tyre duke marrë nën kontroll Kabulin, zoti Biden mbrojti vendimin e tij për t'i dhënë fund luftës dhe këmbënguli se largimi i të gjithë amerikanëve nga vendi do të ishte i vështirë në çdo kohë tjetër. Kritikët kanë thënë se zoti Biden priti shumë gjatë për të filluar organizimin e evakuimit.
Që nga 14 gushti, SHBA ka evakuuar dhe lehtësuar në evakuimin e rreth 37,000 njerëzve. Ushtria amerikane thotë se ka kapacitet për të transportuar midis 5,000 dhe 9,000 njerëz në ditë.
Biden pohoi gjithashtu, pa një shpjegim të plotë, se forcat amerikane kanë arritur të përmirësojnë qasjen në aeroport për amerikanët dhe të tjerët që kërkojnë të ikin. Ai sugjeroi se perimetri i një "zone të sigurt" ishte zgjeruar.
Por një shkëmbim para aeroportit shkaktoi vdekjen e të paktën një ushtari afgan të hënën herët, thanë zyrtarët gjermanë. Njerëzit që shkojnë në aeroport me shpresën për t'i shpëtuar sundimit taleban përballen me të shtëna sporadike armësh, rrahje nga talebanët dhe shtypjen nga turma.
Zoti Biden dhe ndihmësit e tij të lartë kanë përmendur vazhdimisht shqetësimin e tyre se grupet ekstremiste në Afganistan do të përpiqen të shfrytëzojnë kaosin rreth aeroportit të Kabulit.
Facebook Forum