Lidhje

SHBA: Policia negocion me një person që mund të ketë eksplozivë pranë Kapitolit


Forcat e rendit në Uashington po negociojnë me një person që tha se kishte një bombë në kamionin e tij pranë ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa godinat përreth u evakuuan dhe automjetet e ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë nxituan për në vendin e ngjarjes rreth 1.5 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë.

Shefi i Policisë së Kapitolit, J. Thomas Manger u tha gazetarëve se personi e parkoi automjetin në një trotuar para Bibliotekës së Kongresit dhe i tha një oficeri që iu afrua se kishte një bombë, ndërsa dukej se kishte në duar një mjet aktivizues.

Zoti Manger tha se policia nuk e di motivacionin e tij.

"Negociatorët e mi janë duke punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë incident," tha shefi i policisë në një konferencë për shtyp.

Një video e transmetuar drejtpërdrejt në Facebook tregonte një burrë që fliste brenda një kamioni të parkuar në një trotuar jashtë një ndërtese që dukej se ishte Biblioteka e Kongresit.

"Revolucioni po vazhdon," thoshte personi. "Po përpiqem të lidhem në telefon me (Presidentin amerikan) Joe Biden".

Policia nuk tha nëse videoja ishte bërë nga i dyshuari.

Një burim i organeve të rendit tha se nuk ishte konfirmuar nëse ai vërtet kishte eksploziv.

Disa godina përreth u evakuuan, përfshirë Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Një stacion metroje aty pranë u mbyll.

Policia bllokoi rrugët përreth kompleksit të Kapitolit, ndërsa kamionët e zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit u nisën drejt zonës. Agjencia e Kontrollit të Armëve të zjarrit dhe Eksplozivëve tha se po dërgonte një teknik bombash për të ndihmuar policinë. Edhe Byroja Federale e Hetimit është angazhuar.

Zona zakonisht e mbushur me njerëz pranë Kongresit ishte relativisht e shkretë, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara dhe Senati nuk kanë seanca.

Zona u rrethua me gardh të sigurisë së lartë pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump, por ai u hoq në korrik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG