Një gjykatë në Prishtinë dënoi të hënën me dhjetë vjet heqje lirie një serb të Kosovës, të akuzuar për përdhunim gjatë luftës së vitit 1999.
Zoran Vukotiç, ishte akuzuar në muajin mars të vitit 2020 se me 22 maj të vitit 1999 ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe “kishin marrë pjesë në operacionin e dëbimit të popullsisë civile shqiptare në komunën e Vushtrrisë”.
Në akuzë thuhej se ai përdhunoi viktimën "si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj grave etnike shqiptare".
Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se “ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore”.
Në një komunikatë të kësaj qendre thuhet se ndonëse “drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dënimi i sotëm “është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.
Zoran Vukotiç, tashmë është duke vuajtur një dënim me gjashtë vjet e gjysme heqje lirie nën akuzat për krime lufte.
Në muajin maj të vitit 2018, trupi gjykues i drejtuar nga gjykatës të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, e shpalli fajtor atë për torturë ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, gjatë viti 1999.
Zoran Vukotiç, ishte arrestuar në mars të vitit 2016 në rrethinën e Nikshiqit në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe në muajin nëntor të atij viti, u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.
Mbi dhjetë mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s.
Edhe më tej ndërkaq nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mije e 600 personave që llogariten të zhdukur.
Edhe më tej nuk dihet numri i saktë por besohet se rreth 20 mijë është numri i viktimave të përdhunimeve nga forcat serbe.
Facebook Forum