Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të premten aktakuzë kundër një ish polici serb për “krimet e luftës kundër popullsisë civile dhe përdhunim gjatë luftës në Kosovë”.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri Z.V. si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria nuk dha më shumë hollësi për të akuzuarin e as identitetin e tij, por mediet lokale në gjuhën serbe thanë se bëhet fjalë për Zoran Vukotiçin, i cili është në vuajtje të dënimit prej 6 vjet e gjysmë heqje lire për krime lufte.
Ai qe dënuar në maj të vitit 2018 nga një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, nën akuzat për torturë ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, gjatë viti 1999.
Ai ishte arrestuar në mars të vitit 2016 në rrethinën e Nikshiqit në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe në muajin nëntor të atij viti, u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.
Mbi dhjetë mijë veta u vranë gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe. Edhe gati 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave që llogariten të zhdukur.
Autoritetet në Kosovë thonë se janë mbi 20 mijë viktima të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, ndërsa deri tash nuk është shënuar asnjë rast dënimi për këtë krim të luftës.
Facebook Forum