Lidhje

SHBA dhe planet për donacionet e vaksinave përmes programit COVAX 


US Launches Coronavirus Vaccine Distribution
US Launches Coronavirus Vaccine Distribution

Shtëpia e Bardhë njoftoi të ejten se do të shpërndajë pjesën më të madhe të 25 milionë dozave të para të vaksinës kundër COVID-19, që Shtetet e Bashkuara do t’ia dhurojnë vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme përmes programit COVAX, i cili mbështetet nga Kombet e Bashkuara. Kjo është sasia paraprake e 80 milionë dozave që Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të dhurojnë deri në fund të qershorit. Administrata e Presidentit Biden ka qenë nën presion për të ndarë sasinë e furnizimit të saj me vaksina.

SHBA dhe planet për donacionet e vaksinave përmes programit COVAX
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Tre të katërtat e 25 milionë dozave të para të vaksinave që Shtetet e Bashkuara po dhurojnë do të kalojnë përmes programit të OKB-së, COVAX.

"Synimi është të shtohet numri i vaksinave të disponueshme në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet dhe të lehtësohet ndarja e tyre me ata që janë më në rrezik", tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

6 milionë doza të tjera do t’u jepen vendeve individuale, duke përfshirë fqinjët, aleatët dhe vendet me nivel të lartë infeksionesh ose kriza të tjera. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dhurojnë 80 milionë doza vaksinash deri në fund të qershorit.

"Ky është pesëfishi i numrit të dozave që ndonjë vend tjetër është angazhuar të ndajë dhe këto 80 milionë doza përfaqësojnë 13% të totalit të vaksinave të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara deri në fund të këtij muaji", tha koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Jeff Zients.

Por ndërsa 80 milionë dozat do të ndihmojnë, ekspertët thonë se bota ka nevojë për miliarda doza për të vendosur nën kontroll pandeminë.

"Ky është një hap në drejtimin e duhur, por kjo është një sasi tepër e vogël krahasuar me nevojat globale", thotë William Moss nga UniversitetiJohns Hopkins.

Ndërsa më shumë se gjysma e popullsisë amerikane është vaksinuar, qasja ndaj vaksinave kundër COVID-19 ka qenë jashtëzakonisht e pabarabartë në të gjithë botën.

"Nga 1.8 miliardë vaksinime të kryera në nivel global, vetëm 0.4% e tyre janë bërë në vendet me të ardhura të ulëta. Kjo është e papranueshme nga pikëpamja etike, epidemiologjike dhe ekonomike", tha drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ekspertët thonë se vendet më të pasura duhet të shtojnë donacionet e tyre dhe duhet të ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese në të gjithë botën. Kjo do të marrë kohë.

Një aspekt pozitiv është se ka ende vaksina të reja në zhvillim që mund të ndihmojnë në përmbushjen e nevojave të botës, thotë zoti Moss.

"Ne nuk do të punojmë vetëm me portofolin aktual të vaksinave. Ne do të kemi vaksina të reja. Dhe shpresojmë se ato do të jenë po aq të sigurta dhe efektive sa vaksinat aktuale", thotë ai.

OBSH-ja këtë javë autorizoi përdorimin emergjent të vaksinës së prodhuar nga firma kineze Sinovac, e cila tashmë është në përdorim në Brazil, Indonezi dhe gjetkë. Kjo i hap rrugën shpërndarjes së saj në më shumë vende.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG