Ekspertët thonë se shpallja e luftës kundër korrupsionit si një përparësi themelore e interesave të sigurisë kombëtare nga Shtëpia e Bardhë, është një paralajmërim për aktorët e korruptuar në shkallë globale. Kolegia Keida Kostreci njofton se ky veprim është pjesë e programit më të gjerë të presidentit Joe Biden për t’u angazhuar me botën dhe për të nxitur demokracinë.
Gary Kalman, Drejtor i Zyrës së Shteteve të Bashkuara për Organizatën Transparency International, thotë se me memorandumin që e konsideron luftën kundër korrupsionit një përparësi themelore, administrata e Presidentit Biden, po dërgon një mesazh të fortë.
“Shohim një interes real për t'u angazhuar dhe programi anti-korrupsion duket të jetë një përparësi për ta, gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Charles Kupchan, studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, është dakord.
“Mendoj se është një mesazh paralajmërues për shumë individë që përdorin praktika korruptive në gjithë botën, qofshin në qeveri ose jashtë tyre”, thotë zoti Kupchan për Zërin e Amerikës.
Në dokument thuhet se “administrata amerikane do të udhëheqë përpjekjet për të nxitur qeverisje të mirë, transparencë në sistemet financiare të Shteteve të Bashkuara dhe globale, si dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit”.
Zoti Kupchan thotë se objektivi afatgjatë është të parandalohen kërcënimet e sigurisë kombëtare përpara se ato të bëhen rreziqe konkrete. Një synim tjetër është të ndihmohen përpjekjet antikorrupsion në pjesë të tjera të botës, përfshirë Ballkanin.
“Nuk mund të kesh qeverisje të mirë dhe demokraci të qëndrueshme liberale nëse nuk godet marrëdhëniet midis elitave politike dhe oligarkëve sepse kur krijohet një marrëdhënie shumë komode mes atyre me pushtet dhe atyre me para, është shumë e vështirë të krijosh një sistem që mbështetet tek rendi kushtetues dhe tek demokracia”, thotë ai.
Në dokumentin e bërë publik të enjten, administrata Biden thotë se parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për qeverisje të përgjegjshme dhe transparente do të siguronin një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera.
“Nëse Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në adresimin e burimeve bazë të korrupsionit ose të mbajnë përgjegjës ata që përfshihen në praktika të paligjshme, kjo mund t'i shtyjë ato vende në drejtimin e duhur politikisht dhe kështu të eliminojnë disa nga pasojat strategjike afatgjata”, thotë ai.
“Dokumenti të lë të kuptosh disa mënyra se si do të punohet me vende të tjera, përshirë duke mbështetur median dhe shoqërinë civile dhe duke shprehur mbështetje për institucione demokratike”, thotë zoti Kalman.
Memorandumi i zotit Biden është i rëndësishëm sepse shërben si njoftim zyrtar nga presidenti "se ai pret nga të gjitha departamentet dhe agjencitë përkatëse federale të rrisin përpjekjet anti-korrupsion në mënyra shumë konkrete", u tha një zyrtari i lartë i administratës gazetarëve të enjten.
Zoti Kalman thotë se me këtë strategji administrata do të marrë hapa për të mos lejuar që aktorë të këqij të qarkullojnë para dhe të bëjnë investime përmes sistemit të Shteteve të Bashkuara ose ekonomive të tjera të përparuara, një dukuri që ai e quan “një problem të jashtëzakonshëm”.
“Mund të krijosh një kompani anonime në Shtetet e Bashkuara dhe të qarkullosh miliarda dollarë përmes saj, mund të blesh pasuri të patundshme dhe të përfitosh duke e dhënë me qira ose duke shitur atë dhe mund të pastrosh para. Shtetet e Bashkuara supozohet të jenë një vend i pastër, mbi të tjerët, e megjithatë më shumë para të paligjshme qarkullojnë përmes Shteteve të Bashkuara se ndoshta në çdo vend tjetër në planet”.
Një synim tjetër është të mos lejohen prona të paligjshme të fshihen pas kompanive fantazëm.
Zoti Kalman thotë se programet e sanksioneve, si ligji Magnitsky dhe Nisma e Departamentit të Drejtësisë për Rimarrjen e Pronave të Siguruara përmes Kleptokracisë, ose mekanizma të tjera, ndihmojnë.
“Shpresojmë që t’i përdorin në mënyrë të zgjuar, por me force ato programe sanksionesh”, thotë zoti Kalman.
Zoti Kupchan thotë se edhe përcaktimi publik për përfshirje në korrupsion sipas nenit 7031(c) të ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to, bën pjesë në këto mekanizma.
“Çelësi këtu është nxjerrja publikisht e informacionit në mënyrë që ata që bëjnë korrupsionin të mund të mbahen përgjegjës ose nga bashkësia ndërkombëtare ose nga elektoratet në vendet në fjalë. Është e ngjashme me përpjekjet për të mbajtur përgjegjëse palët që përfshihen në shkelje të të drejtave të njeriut”, thotë ai.
Si zoti Kalman ashtu edhe zoti Kupchan thonë se tani mbetet të shihet se çfarë hapash të mëtejshëm konkretë do të ndërmerren për ta vënë në jetë këtë strategji të administratës amerikane.
Facebook Forum