Lidhje

Kosova përballë sfidave të varfërisë së skajshme


Kosova përballë sfidave të varfërisë së skajshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Kosova përballë sfidave të varfërisë së skajshme

Rexhep Mula nga fshati Gërdoc, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit, çdo ditë në orën gjashtë të mëngjesit niset në një nga tregjet e Prishtinës, me karrocën e tij të dorës, që është edhe mjeti i punës së tij.

“Dal në treg çdo ditë, përveç nëse kam ndonjë punë diçka tepër të rëndë në shtëpi, përndryshe pa dalë këtu nuk bën”, thotë ai.

Në një ditë të mirë, ai fiton pesë deri në shtatë euro, ndërsa ka ditë që kthehet pa asnjë qindarkë. Me këtë punë, Rexhepi, mban familjen e tij 8 anëtarëshe.

“Fëmijët e mi, njëra është në klasë pestë, njëra në klasë të tetë, njëra në Podujevë filloi mësimin por nuk kisha me çka të paguaj dhe u detyrua ta ndërpresë. 15 euro kërkoheshin për pagesë mujore, në anën tjetër gruas më duhet t’i blejë ilaçe, pastaj disa harxhime të shtëpisë”, rrëfen ai.

Drejtori i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, thotë se numri i familjeve që jetojnë në varfëri dhe të varura nga ndihma sociale në kryeqytet, sillet nga 1400 deri në 1600.

“Ka raste që janë më të rënduara sesa të tjerat, prandaj edhe janë të ndara në dy kategori. Ne brenda mundësive që i kemi pasur jemi munduar që t’u dalim në ndihmë këtyre rasteve. E mira është që krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Prishtinë numri nuk është i lartë, për dallim nga komunat tjera ku numri i familjeve që jetojnë nga asistenca sociale është shumë më i lartë”, thotë zoti Kukaj.

Rritja e mirëqenies dhe ulja e varfërisë janë shpallur në mesin e përparësive të qeverisë së Kosovës.

“Nuk do të lejojmë që të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme në këtë mandatin tonë të parë, pra bëhet fjalë për ata 100 mijë qytetarë që jetojnë me më pak se një euro në ditë”, kishe deklaruar kryeministri Kurti gjatë prezentimit të programit qeverisës.

Njohësi i ekonomisë, Lekë Musa, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se aktualisht Kosova ka mundësi të zbusë varfërinë e skajshme.

“Mendoj se Kosova gjendet tani në një situatë mjaft të qëndrueshme fiskale dhe me një programim më të mirë të skemave sociale ndoshta do të mund të jetë e realizueshme eliminimi apo lehtësimi së paku ose zvogëlimi i varfërisë së skajshme në vend”, thotë ai.

Megjithatë, zoti Musa thotë se duhet kujdes i posaçëm në këtë proces dhe synim kryesor duhet të jetë punësimi, meqë dalja nga varfëria vetëm përmes skemave sociale ka rreziqet e veta.

“Këto skemat sociale shumë shpesh mund të shkaktojnë një efekt në ekonomi i cili është shumë i padëshirueshëm e që njihet si poverty trap dhe nënkupton që shtresat e ndryshme, sidomos rinia, për shkak të këtyre ndihmave sociale heziton apo e humb incentivën për të kërkuar punë apo së paku punojnë në një ekonomi të hirtë, nuk deklarohen, në mënyrë që të vazhdojnë të marrin këto ndihma apo skema sociale”, thotë zoti Musa.

Në Kosovë shkalla e lartë e papunësisë rrjedhimisht ka shkaktuar edhe rritje të shkallës së varfërisë në vend, ku 18 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa mbi 5 për qind e saj në varfëri të skajshme, që i bie me më pak se dy dollarë në ditë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG