Lidhje

Kosovë, rifillon aktiviteti tregtar


Kosovë, rifillon aktiviteti tregtar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Në Kosovë të hënën u rihapën kafenetë, restorantet e qendrat tregtare pas një mbylljeje 12 ditëshe në kuadër të masave shtrënguese të qeverisë për frenimin e zgjerimit të infektimeve me koronavirus.

Edhe më tej në fuqi mbetet kufizimi i lëvizjes nga 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Përfaqësues të bizneseve në vazhdimësi janë ankuar për masat kufizuese të qeverisë duke thënë se me mbylljen e tyre po rrezikohet mbijetesa e tyre. Përgjatë vitit 2020 Kosova pësoi një rënie ekonomike prej 4.4 për qind për shkak të situatës me pandeminë e COVID-19.

Oda Ekonomike e Kosovës publikoi të hënën një analizë sipas së cilës 45 për qind e bizneseve janë deklaruar se janë në gjendje të pakënaqshme afariste.

“Kjo tendencë nëse e shohim gjatë vitit 2020 na përshtatet me atë se çfarë thonë institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë tona të specializuara për matje të gjendjes në ekonomi, e keni parë edhe raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ku realisht ekonomia jonë për herë të parë ka pasur trend negativ të rritjes”, tha kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi në një konferencë për media.

Ai nënvizoi se situata ka zvogëluar edhe pritjet për shtimin e punësimit në Kosovë e cila vuan nga papunësia kronike.

“Nëse e krahasojmë ta zëmë tremujorin e katërt të vitit 2019 e shohim që 23 për qind e kompanive atëherë kishin pritje pozitive për rritje të punësimit. Nëse krahasohet kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2020 vetëm 12 për qind e kompanive ka pritje pozitive, pra dallon sepse kemi një përgjysmim të pritjeve”, tha ai.

Megjithatë, sipas këtij hulumtimi, për gjashtë muajt e ardhshëm 41 për qind e kompanive presin që gjendja e tyre të përmirësohet, nëse këtë e lejojnë rrethanat me pandeminë.

Gjatë javës që e lamë pas, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë regjistruar tre mijë e 521 të infektuar me COVID-19, ndërkaq 84 veta kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Numri i përgjithshëm i të infektuarve deri tash ka shkuar në 101 mijë e 794, ndërsa i atyre që kanë humbur jetën në 2 mijë e 86.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, me 24 mijë dozat e siguruara nga programi COVAX, duke u bërë vendi i fundit në Evropën Juglindore në këtë proces. Autoritetet thonë se brenda dy muajve të ardhshëm pritet të mbërrijnë edhe doza të tjera të vaksinave, kryesisht dhurime përmes programeve humanitare, ndërsa janë zotuar se deri në fund të vitit mund të vaksinohet 60 për qind e popullsisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG