Lëvizja Vetëvendosje, u dërgoi të enjten ftesa tri partive politike, Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për takime të hënën me 15 mars për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.
Në letrat dërguar partive e të nënshkruara nga kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thuhet se takimet do të mbahen “me qëllim që procesi i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionin në fuqi”.
Të premten, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmuan se do të marrin pjesë në takim. Ndërsa Lidhja Demokratike të dielën mban kuvendin e saj për të zgjedhur udhëheqjen e re të partisë pas dorëheqjes së kryetarit të saj Isa Mustafa.
Në fillim të këtij muaji Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e zgjedhjeve në të cilat lëvizja doli fituese duke siguruar 58 vende në parlamentin 120 vendesh.
Formimi i qeverisë së re kërkon të paktën 61 vota dhe lëvizja Vetëvendosje nuk sheh ndonjë problem që të sigurojë votat pa mbështetjen e këtyre partive.
Por, zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit.
Lëvizja Vetëvendosje e ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për këtë post dhe ka nevojë për votat e partive tjera shqiptare që të kalojë.
Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
Matthew Palmer, Zv/ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tha të enjten në një intervistë për RTV Dukagjini se “ato parti që do jenë në opozitë, duhet të veprojnë me përgjegjësi si opozitë luajale. Luajale jo ndaj qeverisë, por ndaj shtetit, të bëjnë punën e tyre. Të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të funksionojnë’’.
Kjo çështje ishte pjesë edhe e diskutimeve virtuale të zotit Palmer me përfaqësues institucionesh e partish politike të enjten.
Aktualisht publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve është në pritje të vendimeve të Gjykatës së Lartë të Kosovës rreth ankesave të partive e kandidatëve të tyre, që kryesisht lidhen me pretendimet për keqpërdorim votash gjatë procesit të numërimit të tyre.
Të mërkurën Prokuroria e Posaçme Kosovës, tha se ka ndaluar dy persona nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “dhënie apo marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Të martën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, dha dorëheqje nga kjo detyrë si dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas pretendimeve të ngritura rreth keqpërdorimeve të votave brenda radhëve të kësaj partie.
Të enjten kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumërim të plotë të votave si dhe dënimin e keqpërdorueseve.
“Kërkojmë nga organet e rëndit, ligjit dhe hetuesisë që kriminelet e votës të të gjitha partive të përfundojnë në burg. Ne nuk kontestojmë rezultatin e zgjedhjeve, nuk e di pse dikush duhet të jetë kundër rinumërimit”, tha zoti Haradinaj.
Por, tashmë periudha e paraqitjes së ankesave ka përfunduar dhe të premten përmbyllet afati për trajtimin e tyre nga Gjykata e Lartë e Kosovës.
Nëse nuk ka ndonjë vendim që do të çojë në rinumërime, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të certifikojë rezultatet përfundimtare dhe brenda 30 ditësh duhet të mblidhet parlamenti i ri, që duhet të votojë qeverinë e re dhe të gjejë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Facebook Forum